Rreth pesë monumente kulturore të besimit islam do t’i nënshtrohen shumë shpejt ndërhyrjeve restauruese.
Kjo është bërë e ditur në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit që u nënshkrua ditën e djeshme ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nga Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro dhe z. Skënder Bruçaj, duke i hapur rrugën këtij procesi.
“Një pjesë e tyre nuk kanë pasur restaurime ose restaurime të mirëfillta dhe janë në nevojë për një ndërhyrje të tillë. Tashmë ka mbaruar gjithë faza e përgatitjes së projektit dhe e miratimit të tyre dhe ne hapim së shpejti kantieret në këto 5 xhami”, theksoi ministrja Kumbaro.
Ajo shtoi se rëndësi do i kushtohet edhe Xhamisë së Pumbit në Shkodër, e cila ka nevojë dhe për ndërhyrje të thellë. “Prej vitesh ajo është objekt i përmbytjeve. Bëhet fjalë për një ndërhyrje të thellë në sistemin e kullimit dhe adrenazhit. Ndërtimin e një dige për ta shpëtuar një herë e përgjithmonë këtë xhami”- shtoi Kumbaro.
Restaurimi do të financohet nga donatorët TIKA (Turkish Cooperation and Coordination Agency), për ndërhyrje restauruese dhe rikonstruksionin e 5 xhamive “monument kulture”, përkatësisht: – Xhamia Mbret, Berat; – Xhamia e Beqarëve, Berat; – Teqeja e Helvetive, Berat; – Xhamia e Et’hem Beut, Tiranë; – Xhamia e Pazarit, Gjirokastër; Përgjatë ceremonisë, drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës znj. Arta Dollani dhe specialistë të IMK-së, prezantuan projektet e restaurimit, të hartuara nga Firma Ekol në bashkëpunim me IMK.