E shpallur nga Vatikani vitin e kaluar si shenjtëreshë, Nënë Tereza, është vendosur në “top dhjetëshen” e listës së njerëzve më të guximshëm në histori, duke qenë e vetmja femër, e cila mban pozicionin e shtatë.
Një sondazh i realizuar nga Instituti për Hulumtimin e Opinionit “Sotomo” i mandatuar nga kompania e sigurimeve “Allianz Versicherung”, ka pyetur më shumë se 12 mijë zvicerianë për të gjetur se cilin personalitet gjatë historisë e konsiderojnë si më të guximshmin.
Njeriu më i guximshëm në histori sipas shumicës së të anketuarve është Nelson Mandela, luftëtari kundër apartheidit në Republikën e Afrikës së Jugut. Pas tij vjen Wilhelm Tell, por meqë ai konsiderohet më shumë personalitet fiktiv se historik, Tell “abstrahohet” nga kjo radhitje. Kështu, i dyti njeri më i guximshëm në histori konsiderohet Mahatma Gandhi, luftëtari për pavarësinë e Indisë, i cili ka fituar edhe çmimin Nobel për Paqe. Alpinisti i ndjerë ekstrem zviceran Ueli Steck vjen i treti në këtë renditje.
Është interesante se e vetmja grua në mesin e dhjetëshes së parë të kësaj liste që dallon më të guximshmit, është Nënë Tereza, shqiptarja nga Shkupi, e shpallur vitin e kaluar nga Vatikani si shenjtëreshë e Kishës Katolike ose Shën Tereza. Ajo zë vendin e shtatë në këtë listë.
Sipas realizuesëve të këtij sondazhi, u konstatua se meshkujt kanë zgjedhur gati pa përjashtim vetëm meshkuj, ndërsa gratë nuk kanë bërë ndonjë diskriminim të kësaj natyre.