Art & Kulturë

Misteri që qëndron pas statujës kanibale në Bern

Në mes të qytetit zviceran të Bern është vendosur një statujë gjigante e një kafshe groteske që gllabëron fëmijë të vegjël, një statujë, qëllimi simbolik i së cilës ka humbur kohë.

“Kindlifresserbrunnen” është vetëm një prej shumë burimeve të zbukuruara që mund t’i gjesh në qytetin e vjetër të Bernit dhe që daton që prej shekullit të 16-të.

Kindlifresserbrunnen është ndërtuar rreth vitit 1546 dhe përbëhet nga një shatërvan në mes të të cilit është vendosur një përbindësh që shihet teksa fut në gojë një fëmijë. Në dorën tjetër ai mban një thes ku brenda tij shfaqen 4 fëmijë të tmerruar, që siç duket, po i ruan për t’i ngrënë më vonë.

Ndonëse motivi i vërtetë i ndërtimit të kësaj statuje ka humbur në shekuj, historianët kanë arritur të krijojnë një numër teorish që flasin rreth arsyeve se pse kjo skulpturë kaq e çuditshme është vendosur në mes të këtij qyteti.

Sipas një teorie, kjo statujë është ngritur si një paralajmërim për bashkësinë hebraike që jetonte në ato kohëra në qytetin e Bern.

Gjatë Mesjetës, ekzistonin thashetheme të ndryshme për komunitetin hebre, të cilët përfliteshin se bënin sakrifica njerëzore me njerëzit e fesë së krishterë. Sipas kësaj teorie, Kindlifresserbrunnen përfaqëson një burrë hebre që ha fëmijët e krishterë.

Kjo teori mbështetet edhe nga kapelja që statuja mban në kokë, e cila është shumë e ngjashme me kapelen që politikanët e mesjetës i detyronin hebrenjtë që të vishnin, në mënyrë që të identifikoheshin më lehtë.

Ndërkohë, një tjetër teori e identifikon përbindëshin e statujës si Cronus, titani nga mitologjia greke, që ishte babai i të gjithë perëndive. Historia thotë se Cronus, nga frika se fëmijët e tij do të bëheshin më të fuqishëm dhe do ta mposhtinin atë, filloi t’i hante të gjithë një e nga një. Vetëm Zeusi shpëtoi dhe në betejë ai vrau Cronos, duke shpëtuar edhe vëllezërit e tij.

Kindlifresserbrunnen gjithashtu mund të simbolizojë vëllain më të madh të Dukës Berchtold, themeluesit të Bernës. Thuhet se vëllai i madh i Berchtoldit u çmend, pasi nuk i pëlqente që vëllai i tij më i vogël u bë më i famshëm se ai. Legjenda thotë se ai u çmend nga inati dhe filloi të mblidhte e të hante fëmijët e qytetit.

Një nga teoritë e fundit, thotë se statuja nuk është gjë tjetër veçse një gogol, që është ndërtuar për të friksuar fëmijët dhe të mos bëjnë më gabime. Disa njerëzve statuja u ngjason me përbindëshin Krampus, ndërsa disa të tjerë mendojnë se bëhet fjalë për përbindëshin e festivalit zvicerian të Lent.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).