Art & Kulturë

Lord Bajron, figura e famshme angleze që i thuri lavde popullit tonë

George Gordon Byron, i njohur për të gjithë si Lord Byron, lindi më 22 janar 1788 në kryeqytetin e Anglisë, Londër. Dita e sotme shënon 230 vjetorin e lindjes së tij.

Lord Bajron ishte një nga figurat udhëheqëse të rrymës romantike në letërsi, ku ai shquhet më së shumti për veprat e tij: “Don Juan”; “Childe Harold’s Pilgrimage” dhe për poezinë lirike “She Walks In Beauty”.

Ky personazh është përshkruar shpesh si aristokrat pompoz, romantik i bujshëm, sa famëkeq për stilin e jetesës aq i famshëm e i admiruar si poet, ai ishte vetë-mërgues, njeri i lukseve, shpenzues pa masë, duke lënë pas borxhe të mëdha.

Ai konsiderohet si një nga poetët më të mëdhenj britanikë dhe vazhdon të lexohet gjerësisht. Pasioni i tij ishin udhëtimi dhe jeta pa kufizime; ai la gjurmë në Evropë, sidomos në Itali, ku jetoi për 7 vjet; më pas u bashkua me Luftën greke për Pavarësi nga Perandoria Osmane, ku grekët e nderojnë sot atë si një hero kombëtar.

Lord Bajron ka lënë edhe gjurmën e tij në Shqipëri, ku duhet thënë se është një personalitet mjaft i njohur. Diku nga shtatori i vitit 1809, tashmë 21 vjeç, ai mbërriti në Prevezë e prej andej kaloi në Janinë. Në mungesë të prezencës së Ali Pashës, së bashku me shoqëruesin e tij, Bajroni shkoi në 11 tetor në qytetin e Tepelenës, ku u mirëprit si miku i Pashait dhe qëndroi aty për 3 ditë me rradhë. Një gur dedikuar Bajronit është vendosur në murin e kalasë së Pashait, ku vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite.

Për vizitën e tij në oborrin e Ali Pashait, Byron i dërgoi një letër nënës së tij, ku shkruan: “Aliu është vetëm formalisht i varur nga Porta e lartë. Ai është njeri i fuqishëm, sa i sukseshëm, aq edhe mizor me kundërshtarët. Bonaparti i dërgoi Aliut një kuti burnoti me foton të tij. Pashai tha se kutia ishte shumë e mirë, por foton e nënçmoi, pasi ai nuk pëlqente as origjinalin.”

Guri i Bajronit në kalanë e Ali Pashë Tepelenës

Me rikthimin e tij në Angli për pak kohë, ai botoi ditarin ku kishte mbajtur shënimet e tij të udhëtimit me titullin “Shtegtimi Ҫajld Haroldit”, me të cilin njohu një famë të madhe, ku i prezantoi botës edhe Shqipërinë.

Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, Bajroni u njoh me kulturën e traditat e vendit, të cilat i lanë një përshtypje mbreslënëse shkrimtarit.

Në shënimet e mbajtura, kur ishte në Shqipëri, për poemën “Shtegtimi i Çajld Haroldit”, ai shkruante për shqiptarët: “Më tërheqin shumë me atë ngjashmërinë e tyre me malësorët e Skocisë, në veshje, në pamje dhe në mënyrën e jetesës”. Si kujtim ai mori një kostum tradicional shqiptar, me të cilin piktori Tomas Filips i ka bërë një portret. Ky kostum ka një histori më të gjatë. Ai aktualisht është i ekspozuar në Bowood Estates, Angli.

Lord Bajron në një kostum tradicional shqiptar

Por çfarë ndodhi me kostumin shqiptar që kishte lord Bajroni? Në një korrespondencë me Margaret Mercer Elfiston, ai më 1814 ia dhuroi asaj kostumin shqiptar, duke i sugjeruar që ta përdorte si veshje balloje, pasi kjo veshje ishte e veçantë. Më pas kostumi kaloi nën zotërimin e familjes Lansdoun dhe u rizbulua në vitin 1962.

Pasi u shfaq në Muzeun e Kostumeve, në Bath, kostumi shqiptar ishte kthyer në Bowood për t’u ekspozuar. Pikërisht dy jelekë të marrë nga ky kostum tashmë janë të varur në murin e dhomës, në të cilën qëndronte dikur Mercer Elfinstoni.

Gjatë qëndrimit në Greqi, Bajroni u prek nga ethet dhe vdiq në Missolonghi më 1824, në moshën 36 vjeçare. Sot ai prehet në kishën “St. Mary Magdalene” në Nottinghamshire, krah vajzës së tij, e cila po ashtu vdiq kur ishte 36 vjeçe.

Vajza e tij, Ada Lovelace.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).