Tashmë e shndërruar në një ngjarje tradicionale të përvitshme në skenën e filantropisë në Kosovë, ngjarja “Të vallëzojmë për nënat dhe fëmijët – Let’s Dance” rikthehet më 21 shtator 2017, në Duplex Premium në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00.
Ngjarja organizohet nga Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe Crimson Capital falë mbështetjes së sponsorëve dhe publikut që beson në misionin e kësaj ngjarjeje bamirësie. Disa nga aktivitetet që u mundësuan këtë vit me fondet e mbledhura nga Let’s Dance në shtatorin e vitit të kaluar janë:
Klinika e neonatologjisë pranë QKUK është furnizuar me 200 shishe të medikamentit Surfaktant, për herë të parë në Kosovë u soll medikamenti minastrin, janë blerë 5 monitorë kardiopulmonarë për fëmijë dhe janë hapur qendra informuese për shëndetin e gruas dhe klasat për nëna në Kaçanik dhe Prizren. Gjithashtu, falë këtyre fondeve, Fondacioni ka arritur të avokojë që institucionet shëndetësore të zhvillojnë udhërrëfyesin nacional për transportin standard të foshnjeve nga spitalet rajonale për në Prishtinë. Një tjetër arritje është zgjerimi i ndërmarrjes sociale Teshavesha.