Tylon Pittman, një djalë 5 vjeçar nga Mississippi në Amerikë, ka telefonuar policinë për të raportuar se Grinçi po planifikonte të vidhte Krishtlindjet e të gjithëve, ndaj ata duhet ta ndalonin.
“How Grinch Stole Christmas” është një nga filmat më të ndjekur për festat e fundvitit, i cili tregon historinë se si përbindëshi i vogël jeshil po planifikonte të vidhte Krishtlindjet e të gjithë banorëve në fshatin e Kushvill-it.

Siç duket, djaloshi 5 vjeçar e ka marrë seriozisht ‘kërcënimin’ që po i vinte nga Grinchi dhe ka vendosur t’ia raportojë policisë. Prindërit e tij kanë deklaruar se Tylon ishte duke parë disa video të këtij filmi në telefon, kur ka vendosur që të marrë në telefon 911 (numri i policisë në Amerikë).
Pasi i tha operatores në telefon se duhet të bënin kujdes nga Grinchi, vogëlushi ja kaloi telefonin babait të tij, i cili i kërkoi falje policisë për shqetësimin.
Megjithatë, policëve të këtij rajoni u ka bërë përshtypje reagimi i vogëlushit dhe e kanë marrë një ditë më pas Pittman në zyrat e policisë, ku ai ‘arrestoi’ një njeri të maskuar si Grinchi.
Oficerët e policisë e kanë siguruar vogëlushin se asnjë nuk do të përpiqej t’i vidhte Krishtlindjet dhe i mësuan se cilat janë rastet kur ai duhet ta telefonojë vërtet policinë.