Komedia “8 Femra” rikthehet më datë 20-21 shkurt. Të gjithë ju që doni të shijoni këtë shfaqje teatrale, duhet të shkoni në Korçë për ta parë nesër apo pasnesër.
Ose mund të prisni marsin, ju që jeni në Tiranë për ta parë tek arTurbina.
Komedia, vepër e një autorit të njohur me regji të Driada Dervishi nis dhe turin në skena të teatrove këtë sezon artistik. Rolet në këtë komedi, regjisorja Dervishi ia ka besuar aktoreve Yllka Mujo, Olta Daku, Zamira Kita, Rajmonda Bulku, Merita Çoçoli, Klodiana Keco, Paola Kodra, Blerta Belliu dhe Ilda Pepi, që do të jetësojnë personazhet në skenë.
Fabula e shfaqjes në veprën e autorit Robert Thomas vërtitet rreth një familje me tetë gra të mbledhura bashkë për festat e fundvitit. Të izoluara nga dëbora zbulojnë se mashkulli i vetëm i shtëpisë është vrarë me një thikë mbas shpine. Të zëna në kurth asnjëra prej tyre nuk del dot nga shtëpia, e të gjitha kthehen në të dyshuara.
“8 Femra” vjen si komedia misterioze me nota muzikali. Kjo shfaqje është një dedikim ndaj figurës femërore në skenë dhe si një homazh për të gjitha rolet e femrave, që në fillime janë luajtur nga meshkujt. Një komedi, ku gërshetohet trilleri dhe muzikali, sepse të gjitha aktorët kanë dhe këngë. Në këtë shfaqje nuk mungon dhe muzika live.