Aktorja gjithnjë e më e zënë, Kristen Stewart, do ta marrë edhe një çmim për aktrimin e saj.
Organizatorët e Festivalit të ardhshëm të Filmit në Cyrih ditë më parë njoftuan se këtë vit çmimin “Golden Eye” do ta marrë Stewart, e cila në festival mbërrin me regjisorin Benedict Andrews për premierën zvicerane të filmit biografik “Seberg” në të cilin ajo e pati mundësinë ta luante aktoren legjendare Jean Seberg. Filmi e pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Venecie.
“Edhe pse ka mundur të vazhdonte të luante në filma blockbuster pas sagës Twilight, Stewart ka zgjedhur filma artistikë indie nga autorë si Walter Salles, Olivier Assayas dhe Ang Lee. Ajo ka arritur ta gjejë një ekuilibër midis mainstreamit dhe artit në një mënyrë të përshtatshme, ndërsa mishërimi i saj i patrembur i Jean Seberg edhe një herë ka konfirmuar se ajo është një nga aktoret më të gjithanshme të kësaj gjenerate”, thanë drejtorët e festivalit Nadja Schildknecht dhe Karl Spoerri. Fituesit e mëparshëm të çmimit “Golden Eye” përfshijnë Jake Gyllenhaal dhe Andrew Garfield.
Stewartin audienca botërore e njohu në vitin 2002 së bashku me Jodie Foster në trilerin “Panic Room”, ndërsa me sagën “Twilight” ajo fitoi famë mbarëbotërore në vitin 2008, shkruan KOHA Ditore. Në vitin 2015, ajo u bë aktorja e parë amerikane që e fitoi çmimin “Cesar” si aktorja më e mirë mbështetëse në dramën Clouds of Sils Maria, në të cilën ajo luajti së bashku me Juliette Binoche. Këtë vit, përveç filmit të lartpërmendur Seberg, Stewartin do ta shohim edhe në filmin e Sony, Charlie’s Angels, me regji të Elizabeth Banks, ku luan pranë Naomi Scott dhe Ella Balinska.
Festivali i 15-të i Filmit në Cyrih do të mbahet nga 26 shtatori deri më 6 tetor, ndërsa kryetar i jurisë është Oliver Stone.