Art & Kulturë

“Eldorado”, regjisori Stefan Çapaliku me një dramë gjermane

13 shtator/ATSH/- Një trupë teatrore, me aktorë kryesisht nga teatri i Durrësit ka nisur sot punën për vënien në skenë të dramës “Eldorado”, vepër e dramaturgut të mirënjohur bashkëkohor gjerman Marius von Mayenburg.
“Eldorado” në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit është pjesë e një projekti teatror në kuadër të Tetorit Gjerman, mbështetur nga Qendra “Gëte” në Tiranë
Regjisori i shfaqjes Stefan Çapaliku tha se “te “Eldorado”, dramë e shkruar në vitin 2006, përtej pamjes së drejtpërdrejtë të teksturës shtrohet një pyetje kokëfortë: Si mund të vazhdojmë të jetojmë, kur krime të papërshkrueshme po kryhen në emër të demokracisë dhe qytetërimit Perëndimor?”
Veprat e von Mayenburgt shquhen për frymën anti-borgjeze, dhe kanë pasur e kanë një ndikim shumë të fortë në teatrin europian – tha më tej Çapaliku.
Marius von Mayenburg (1972) filloi studimet në Hochschule der Künste në Berlin. Drama e tij e parë, “Haarmann”, u vu në skenë në Deutsches Theater në Berlin më 1996. Që nga viti 1999 ai është dramaturg në Schaubühne në Berlin.
Skenograf i shfaqjes është Sadik Spahija, ndërsa koreograf Gjergj Prevazi. Regjisori Stefan Çapaliku ua ka besuar rolet aktorëve Suela Bako, Ervin Doko, Andja Xhunga, Bes Bitraku, Ina Morinaj dhe Ledian Gjeçi.
Premiera e dramës “Eldorado” do jetë me datë 25 tetor në Durrës. Më pas shfaqja do jepet edhe në Tiranë e Shkodër.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).