Art & Kulturë

Koncert “Imazhi Jazz i Gjon Milit”, më 21 shtator

“Imazhi Jazz i Gjon Milit” është koncerti që synon të promovojë figurën e Gjon Milit, si pjesë e Trashëgimisë Kulturore dhe Artistike nëpërmjet rrymës muzikore Jazz.
Formacioni muzikor “Blackie Band” është i përbërë nga muzikantë shqiptarë të mbledhur posaçërisht për këtë koncert, nën drejtimin artistik të Andi Kongos.

Artisti Mili, si mjeshtër dhe inovator i fotografisë, ka kontribuar në të gjitha fushat sociale dhe kulturore në Shtetet e Bashkuara dhe, si rrjedhojë, në mbarë botën, por, shumë e veçantë ka qenë lidhja dhe dashuria që ai ka pasur për muzikën Jazz. Këtë e ka dëshmuar me filmat artistikë të realizuara në vitet ’40 – ’60 si: “Jammin the blues”, “Stompin for Mili” dhe “Improvisation”.

Me filmin “Jammin the Blues” ai arriti të bëhej një nga pionierët e videoklipit muzikor. Teknikat stroboskopike, dritë-hijet, intimiteti fotografik me muzikantët që interpretojnë në këto filma, studiohen ende sot dhe merren si bazë në kinematografinë botërore.
Mili ndikoi artistikisht në muzikën Jazz edhe me fotografitë e realizuara në studion e tij fotografike gjatë “Jam Sessions” (koncerte të improvizuara me muzikantë të njohur të skenës Jazz të viteve ’40), të cilat u botuan në revistën “Life”.

Këto fotografi shoqëruan edhe pllakat muzikore “Victory Disks” (V-Disc), të cilat u shpërndanë gjatë Luftës së Dytë Botërore si mjet motivues për ushtarët amerikanë dhe popujt e pushtuar, në luftën kundër nazistëve. Ato tregonin qartazi realitetin demokratik dhe inter-kulturor që karakterizonin mbrëmjet muzikore Jazz, duke bashkuar publikun, muzikantët dhe balerinët me kombësi të ndryshme, në kundërshtim me ligjet dhe krimet raciale që ushtronte fashizmi dhe nazizmi.

Emrat e muzikantëve Jazz me të cilët Mili realizoi veprat e tij vizuale janë Duke Ellington, Lester Young, Count Basie, James P. Johnson, Dizzy Gillespie, Benny Goodman, Cosy Cole, Jo Jones, Billie Holliday, Charlie Parker, Coleman Hawkins, Gene Krupa, Buddy Rich, Dave Brubeck, Paul Desmond dhe shumë të tjerë…

Në sajë të respektit që shumë prej këtyre muzikantëve patën për Gjon Milin, duke i dedikuar edhe veprat muzikore të tyre, fotografi nga Korça mbetet e vetmja urë lidhëse që kombi shqiptar mund të ketë me historinë e muzikës Jazz, pikërisht në periudhën kur ky zhanër muzikor u përhap në mbarë botën. Ndërkohë regjimi komunist në Shqipëri, e kishte ndaluar rreptësisht.

Koncerti do të përmbajë pjesë muzikore të zgjedhura nga filmat e Gjon Milit, por, gjithashtu, edhe krijimtari të reja dhe përpunime të muzikës shqiptare, në vazhdimësi të “imazhit” Jazz që Mili na ka lënë si trashëgimi.

Formacioni muzikor është i përbërë nga:
Piano: Andi Kongo
Saksofon: Ermal Rodi
Bateri: Emiljan Dhimo
Bas: Arbin Alimeri
Kitarë : Kejdi Barbullushi
Vokal dhe violinë: Elona Islamaj

Moderator: Maja Hakani

Hyrja e lirë – Free Entry por duhet të pronotoni para.

Për prenotim ju lutem kontaktoni në numrin: 0672270668.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).