Art & Kulturë

Adela Muçollari në jurinë prestigjioze të “Premio Danza 2019” në Romë

Adela Muçollari, primabalerina e Teatrit të Operas dhe Baletit do të përfaqësojë Shqipërinë në jurinë e edicionit të 17-të të “Premio Danza 2019” në Romë. Një nga Akademitë më të rëndësishme italiane, Akademia Kombëtare e Vallëzimit, zhvillon një ngjarje vjetore ku balerinët nga e gjithë bota shpalosin talentin e tyre duke u vlerësuar nga një juri shumë e aftë dhe profesionale.

Kështu, primabalerina e Tiranës do të jetë një nga pjestarët e jurisë, përkrah balerinëve nga Akademitë më prestigjioze në Seul, Korenë e Jugut, Pekin në Kinë, si dhe Teatri prestigjioz Pina Bausch nga Gjermania, për të zgjedhur talentet e reja që do të jenë më të mirët e baletit klasik dhe bashkëkohor.

Artistët shqiptarë të operas dhe baletit kanë krijuar një vend dinjitoz në skenën botërore të artit, duke i rritur vlerën shkollës shqiptare të operës dhe baletit. Këngëtarët tanë si Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Kastriot Tusha, valltarët Eno Peci, Anbeta Toromani, Klaidi Kadiu, Eris Nezha, e të tjerë, po e ngrenë lart emrin e artistëve shqiptarë në të gjithë botën. Përzgjedhja e balerinës sonë Muçollari në këtë juri prestigjioze dhe pjesëmarrjen e saj në Romë këto ditë e vendos artin e vendit tonë të vogël në piedestalin që meriton.

Kujtojmë se Adela Muçollari ka fituar dy herë çmimin Balerina më e mirë e vitit në eventin gala “Çmimet Kult”.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).