Art & Kulturë

“Komunizmi në epokën e tij”, me dokumente dhe foto në Muzeun Kombëtar

Në Muzeun Historik Kombëtar u çel ekspozita “Komunizmi në epokën e tij”. Për publikun ajo prezanton 25 postera, dokumente dhe mbi 200 foto historike, dhe sipas organizatorëve ekspozita përshkruan ngritjen dhe rënien e lëvizjeve komuniste në shekullin XX. Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij” rreket ta shoh këtë regjim në një aspekt më global dhe i paraprin 27 vjetorit të rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha.

Drejtuesja e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë, Jonila Godole u shpreh për arsyet pse duhet t`i kthejmë sytë nga e kaluara dhe theksoi mes fjalëve të saj se politika e sotme ka trashëguar periudhën komuniste e se duhen ende vite për ndërtimin e shtetin e së të drejtës. “Shtylla kurrizore e demokracisë që është krijimi i shtetit të së drejtës, ende pas 27 vjetësh nuk është vendosur në Shqipëri. Kjo na bën ne ta kthejmë kokën pas dhe të shohim a kanë mbase disa ngjashmëri me kohën e sotme”, u shpreh Godole në fjalën e saj gjatë çeljes së ekspozitës.

Ndërsa drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij tha se ekspozita rreshtohet mes shumë aktiviteteve të tjera të denja që muzeu kishte organizuar dhe trajtuar gjatë një viti, rreth dialogut me të shkuarën. Më tej dr. Dorian Koçi pohoi se ngritja dhe rënia e komunizmit gjatë viteve 1945-1990 përveç ndryshimeve që solli në infrastrukturë dhe arsim krijoi edhe atë që quhet “Dehumanizëm”. “Ata që kishte pushtuar ideologjia ishin të errët dhe njerëzit i shikonin si numra, të dehumanizuar thuajse tërësisht nga ideologjia, e cila kishte larguar shpirtin njerëzor human me anë të doktrinës komuniste totalitare” tha drejtori Koçi.

I ftuar për ta prezantuar këtë ekspozitë ishte dhe kuratori i ekspozitës Dr. Ulrich Mahlert, përfaqësues i Fondacionit Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermani. Botuesit e ekspozitës janë Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermani, Muzeu Historik Gjerman dhe për versionin shqip Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC). Autori i saj është historiani gjerman Gerd Koenen. Ekspozita do të mirëpresë publikun deri më datën 28 shkurt në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).