Drama shqipe “Gishti” bashkon një regjisore serbe dhe një dramaturge kosovare.

Pas Beogradit, Shkupit dhe Prishtinës, drama shqipe “Gishti” e autores Doruntina Basha vjen premierë dhe në skenën e Tiranës. Premiera, që vjen për publikun mbrëmjen e datës 24 shkurt ka për regjisore Bojana Lazic nga Beogradi. Protagoniste në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” janë aktoret Rozi Kostani si dhe Ina Morinaj.

Vetë drama sjell një tregim për dy gra, vjehrrën dhe nusen, të cilat edhe dhjetë vite pas zhdukjes së burrave të tyre në luftën e Kosovës, jetojnë së bashku, të paaftë për t’u vajtuar siç duhet të vdekurit e tyre, dhe të vazhdojnë me jetën. Aktorja Rozi Kostani pohon se kjo është dhe një nga traumat shoqërore më të dhimbshme dhe më të thella të trazirave të pasluftës. “Çështja e personave të zhdukur është tematizuar në dramë, në të cilën një shkrimtare nga një perspektivë e fuqishme femërore, hedh dritën mbi plagët sociale dhe individuale, dëshpërime dhe plasaritje”, shprehet aktorja Kostani për veprën teatrore, që do të jetë në skenën e teatrit në Tiranë.

Autorja Doruntina Basha është e njohur për veprat e saj në skenën e teatrit jo vetëm në Kosovë, por dhe në Tiranë. Këtë herë ajo vjen para publikut në ditët e muajit shkurt me dramën “Gishti”, vepër që sipas aktores Kostani hap temat universale për të gjitha shoqëritë e pasluftës, dhimbjen e atyre që mbeten dhe pamundësinë që të “vazhdohen më tej”.

“Edhe pse veprimi është vendosur në mjedisin patriarkal, që jeton sipas zakoneve të vjetra, drama tejkalon këtë kornizë. Ashtu siç patriarkati nuk është kufizuar tek komunitetet dhe shoqëritë që ne e konsiderojmë automatikisht konservatore, ashtu edhe vetë teksti “Gisht”, nuk tematizon çështjen e grave ekskluzivisht në një mjedis të mbyllur dhe jashtëzakonisht tradicional, por është shumë e lidhur me pozitën femërore në çdo luftë në këtë botë”, shton aktorja për veprën.

Dramaturge në shfaqje është Olga Dimitrijevic, kostumograf Sofi Kara dhe koreograf Damjan Kecojevic

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).