Nikollë Idromeno u lind në Shkodër më 15 gusht të vitit 1860. I ati, Arsen Idromeno, një shqiptar nga Parga, ishte vendosur në Shkodër në vitin 1856.
Arseni u martua me një vajzë shkodrane, Roza Saraçin në vitin 1858. Nikolla, ose Kola si e njohim ne më shumë, ishte fëmija i dytë i çiftit Idromeno, pas vajzës Antonia, e lindur më 1859. Pa asnjë dyshim në shfaqjen e prirjeve të Kolës për vizatimin ka ndikuar puna e të atit si projektues shtëpish. Ai u rrit në një familje, ku babai punonte pas një tryeze të mbushur me skica, libra e projekte arkitekturore. Një fëmijëri e tillë patjetër do ngjallte dëshirë t’i prekte e t’i shfletonte librat, të provonte edhe ai magjinë e vizatimit mbi letër.
Veprat e tij janë ekspozuar në ekspozitën e parë kombëtare në Tiranë, në vitin 1931, ekspozitë e organizuar nga shoqata ‘Miqtë e Artit’, si dhe në ekspozitat ndërkombëtare në Budapest (1898), në Romë (1925), në Bari (1931), në Romë (1936) dhe në Nju Jork (1939).
Nikollë Idromeno u nda nga jeta në 12 dhjetor të vitit 1939.
(Pasazh i shkëputur nga studimi i Eleni Laperit mbi Kolë Idromenon).
Ekspozita do të hapet ditën e enjte 27 qershor, ora 20:00 te Galeria Kombëtare e Arteve.