Pas koncerteve humantare në Prishtinë dhe Londër, Shpat Deda vjen në kryeqytet këtë të shtunë, 16 dhjetor, ku do të këndoj për të mbledhur fonde për fëmijët e sëmurë me kancer.
Këngëtari kosovar do të performojë tek Tulla – Culture Center në Tiranë dhe të gjitha të ardhurat e mbledhura gjatë këtij koncerti, do të shkojnë për fondacionin “Kujdesi për Fëmijët e Kosovës”, i cili kujdeset që të gjithë fëmijët të kenë ilaçet e nevojshme dhe të domosdoshme për trajtim.

Të gjitha fondet që do të mblidhen gjatë kësaj mbrëmje dhe ato që janë grumbulluar në dy netët e mëparshme, do të dyfishohen nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në kuadër të programit të saj “Community Initiative”. Gjithashtu, pasi të përmbushen kriteret raportuese, vlera e saj do të dyfishohet deri në shumën maksimale prej 50.000 eurosh.
Ky koncert është një nismë e stafit të BERZH në Prishtinë, Tiranë dhe Londër, mbështetur nga Tulla – Culture Center, Grand Hotel dhe SPA Tirana. Ai nis në orën 21:00 dhe minimumi i donacionit është 1000 Lekë.