Ka një episod të errët në jetën e Karl Marksit që ka ngjallur përherë debate tek studiuesit dhe biografët e tij.
Duket se babai i socializmit shkencor ka patur një histori intime me shërbyesen e familjes, histori prej së cilës erdhi në jetë edhe një fëmijë, më pas i braktisur.
Historia që dhjetorin e kaluar u publikua edhe nga New York Times ka për protagoniste Helene Demuth.
Helene e lindur në 1820 hyri si punonjëse shtëpie në familjen Marks, në 1845. Ajo kishte qenë më parë shërbyese e familjes së gruas së Karl Marksit, Xhenit.
Helene u dërgua nga nëna e Xhenit të ndihmonte Xhenin në rritjen e fëmjëve, në kohën kur Karli dhe Xheni u vendosën në Bruksel. Lindja e fëmijës shkaktoi një krizë në familjen Marks.
Karli, i frikësuar se kjo do të shkatërronte reputacionin e tij organizoi një konspiracion për të mbuluar si çështjen, ashtu edhe foshnjën.
Ai u mbrojt duke thënë që fëmija ishte i mikut të tij, Frederik Engelsit.
Frederiku, i cili vizitonte shpesh familjen Marks, mori përsipër atësinë, madje djali i lindur nga shërbyesja Helenë u quajt pikërisht Frederik për ta bërë versionin sa më të besueshëm. Edhe vetë Helena, pranoi që babai i fëmijës ishte Engelsi.
Por pas vdekjes së Xhenit, Marksi ka pranuar në shënimet e tij se gjithçka ishte një mashtrim dhe u ka kërkuar të gjithë pasuesve të tij, sidomos grave, ta falin.
Helen Demuth ka vdekur në moshën 69 vjeçare në Londër. Frederiku vdiq gjithashtu në Londër në moshën 77 vjeçare në vitin 1929. Ai u rrit në një shtëpi jetimësh.
Shumë vite më pas, një nga vajzat e Marksit, Eleonora, e cila kishte lexuar shënimet e të atit, e rigjeti Frederikun dhe e bëri atë mik shtëpie.
Karli dhe gruaja e tij Xheni e cila ishte 4 vjet më e madhe se ai, patën 7 fëmijë.
Kurse Engelsi nuk u martua kurrë. Ai bashkëjetoi për 20 vite me Mary Burns. Të dy ishin kundër institucionit të martesës./Dita/