7-21 Dhjetor, Galeria e Artit Tiranë
Grupi i artistëve 86 do të hapë ekspozitën e parë, me titull “Muri,” më datë 7 dhjetor në ambientet e Galerisë së Arteve në Tiranë. Pjesë e grupit janë artistët Adrian Devolli, Fatmir Minga, Leon Çika, Violeta Kongo, Llambrini Dena, Luan Boriçi, Mira Kuçuku, Arben Meksi, Agron Polovina, Mariana Goxhabelliu, Fatmir Tufina dhe Mjeshtri i Madh Mustafa Arapi. Pjesë e ekspozitës do të bëhen pjesë dhe punimet e skulptorit Arben Bajo, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar.
Rudi Erebara, kuratori, shkruan se muri është simboli, që shpjegon më mirë se çdo gjë tjetër, njeriun.
“Njeriu është shprehur shpirtërisht me aktin, që kur ndërtoi murin e parë. Edhe e pikturoi atë. Sepse ashtu si me hijen e vet, njeriu u përball me murin. Aty mati veten dhe të tjerët. Mbi mur njeriu u dha sipas mendjes së tij formë perëndive. Njeriu mbi mur duke kërkuar shpirtëroren krijoi edhe krahasimin e parë të vlerave. Muri është vendi ku njeriu vari etalonet me një gozhdë. Objekte, të cilat i njohu si dëshmi të barabarta me ligjet e fizikës, me fenomenet e natyrës. Njeriu e ngriti qëndrimin mbi mur të krahasonte në radhë të parë veten, pastaj edhe të krahasohej me të tjerët. Në faqen e murit njeriu ka mbërthyer edhe shpresën për të arritur të jetë i pavdekshëm”, shkruan ai.