Art & Kulturë

Gjuetia shekullore e thesarit misterioz

Ishulli i vogël në gjirin kanadez Mahone, në Skocinë e Re për më shumë se dy shekuj ka ndezur imagjinatën e gjuetarëve të thesareve.

Oak Island ësht rreth 57 hektarë dhe shtrihet 200 metra në jug të bregut të Skocisë së Re në Kanada.

Kryesisht është i mbuluar me pyje të dendura dhe është njëri nga 360 ishujt e gjirit Mahone. Në Oak Island ekzistojnë teori të shumta për arin dhe artefakte të rralla, të cilat mund të zbulohen.
Kërkimi pas arit të fshehur të ishullit filloi në vitin 1795, kur 18-vjeçari Daniel McGinnis vërejti një dritë nga drejtimi i ishullit. Ai në pjesën juglindore gjeti një pllakë guri, nën dhe. Duke vazhduar gërmimin së bashku me dy shokët e tij, çdo tri metra gjenin shtresa të pllakave që “sugjeronin” se diçka e vlefshme fshihet thellë nën sipërfaqe, por pas rreth dhjetë metrave ata hoqën dorë dhe u larguan nga ishulli pa asgjë.
Lajmi për kërkimin e tyre u përhap me të shpejtë dhe doli në gazeta lokale. Tetë vjet më vonë ‘Onslow Company’ nisi kërkimet dhe në thellësi prej 27 metrash gjetën një gur me simbole të pazakonshme. Kompania u tërhoq nga kërkimet për shkak të vërshimeve të ujit.

Në vitin 1849, në aventurë u hodh edhe kompania ‘Turo’, e cila pas shpimeve hasi në një shtresë metali dhe argjilës në trashësi prej dy metrash. Kompania hoqi dorë pa shpjegime nga kërkimet.

Ato vazhduan në vitin 1861, kur një pjesë e gërmimeve u shemb papritmas dhe mbeti mister shkaku i gjithë kësaj ndodhie. Atëherë u regjistrua edhe rasti i parë i vdekjes së një punëtori nga pompa, e cila shpërtheu.

Edhe disa të tjerë u përpoqën të vazhdojnë shpimet në ishull, por pa sukses deri në vitet ’60-ta të shekullit 20.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).