Gazmend Leka hap ekspozitën personale “Kaloi një grua”

Kaloi nje grua

Galeria FAB, 22 Tetor – 12 Nëntor

Këtë të premte, më 22 tetor, pranë ambienteve të Galerisë FAB, Gazmend Leka hap dyert e ekspozitës së tij personale me titull “Kaloi një grua.” Si pasojë e situatës pandemike, ekspozita nuk do të ketë një inagurim ceremonial.

Kurator i ekspozitës është Ermir Hoxha, i cili shkroi edhe tekstin më poshtë:

“Kaloi një grua” është ekspozita më e fundme e piktorit Gazmend Leka. Ajo vjen e përpiktë në vjeshtën e këtij viti, ashtu si para shtatë vjetësh kur ai nisi serinë e përvitshme të aktiviteteve personale. Pat nisur me “Symbolon” (2014), për t’u pasuar nga “Molla,” “Natura Morta,” “Taso,” “Lutja,” “Dhoma e Hapave të Humbur,” deri tek imazhi apokaliptik i “Noe”. Ishte aty simboli antik në petkun bashkëkohor dhe triptiku i fundmë ekzistencial i artistit.

“Kaloi një grua” është e fundit e këtij manifestimi figurativ. Pas notave tejet dramatike të cikleve të fundit, ajo duket se rikthen më në fund “paqen” në studion e Lekës. Ajo është një oaz qetësie, dedikuar profesionistit dhe modeles; artistit dhe habitatit të tij; aktit të krijimit, sa dhe momenteve të heshtjes midis…

“E ndërtuar nga 15 tablo në vaj e 13 vizatime, përtej të gjithave, ajo është konfirmimi i vazhdimësisë së një rrugëtimi nisur dekada më parë dhe materializimit të njërit prej zërave më të vyer të pikturës shqiptare.”

“Kaloi një grua” do të jetë e hapur për publikun nga 22 tetor deri më 12 nëntor në oraret 10:00 – 13:00 dhe 16:00 – 21:00.