Biblioteka Kombëtare çel ekspozitën “Kundërbota e Branko Merxhanit”

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, 27 Tetor – 5 Nëntor

Me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Branko Merxhanit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë organizon në datën 27 tetor 2021, ora 10:00, ekspozitën kushtuar njërës prej figurave më interesante, e në shumë aspekte më aktuale të mendimit e publicistikës shqiptare.

Ekspozita rindërton rrugëtimin e veprimtarisë së tij 16-vjeçare në Shqipëri, gjatë të cilit Merxhani u bë një ndër figurat më ndikuese në botën kulturore shqiptare. Rrugëtimi fillon, natyrisht, me shkrimet e tij të para në gazetën “Demokratia”, të botuar në Gjirokastër, duke filluar nga viti 1927. Së bashku me mikun Vangjel Koça, kishin aty një faqe të vetën, të titulluar “Lëvizja mendore”, në të cilën hodhën tezat e para të “Neo Shqiptarizmës”, doktrinës së tyre për daljen e Shqipërisë nga varfëria dhe prapambetja e skajshme shekullore, nëpërmjet kulturës, arsimimit dhe emancipimit shoqëror.

Ekspozita pasqyron veprimtarinë e tij në disa prej organeve më të rëndësishme të shtypit të kohës, si te të përmuajshmet “Illyria” dhe “Minerva”, apo te “Koha e re”, e drejtuar nga Petro Marko. Por emri i Branko Merxhanit lidhet, para së gjithash, me revistën e përmuajshme ”Përpjekja Shqiptare”, të botuar prej tij nga  viti 1936 deri në vitin 1939, vit ky kur ai largohet nga Shqipëria, pas pushtimit Italian, për të mos u kthyer më kurrë. Kjo revistë famëmadhe ishte, padyshim, organi më me ndikim në botën intelektuale të asaj kohe. 

E veçanta e kësaj ekspozite është përfshirja në të e një sërë materialesh arkivore origjinale, në sajë të bashkëpunimit me Arkivin e Shtetit. Po ashtu, në të ekspozohet dorëshkrimi i një drame të tij të pabotuar. Për ta bërë ekspozitën sa më të plotë, do të shfaqet dhe një dokumentar i shkurtër kushtuar figurës dhe veprës së Branko Merxhanit, prodhim i televizionit “Top Channel”, me autor Artan Puton.

Së fundi, dëshirojmë të nënvizojmë, se kjo ekspozitë s’duhet parë thjesht si një ekspozitë rutinë për të përkujtuar një figurë të së shkuarës. Branko Merxhani nuk është thjesht një figurë muzeale. Përkundrazi, shumë prej shkrimeve, analizave dhe tezave të tij tingëllojnë ende sot mjaft aktuale. Ekspozita ka për qëllim të promovojë një figurë që, për mendimin tonë, ende s’njihet sa ç’e meriton, duke sjellë në vëmendje shumë prej ideve, shtjellimeve, polemikave e rrugëzgjidhjeve që ai propozonte, të cilat ende sot pas kaq vitesh, tingëllojnë jo vetëm aktuale, por edhe të dobishme për emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë shqiptare.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 5 nëntor 2021.