“One Billion Rising” është një fushatë kundër dhunës ndaj grave, që do të organizohet këtë vit në Prishtinë për të shprehur zemërimin, solidaritetin nëpërmjet vallëzimit, si protestë kundër abuzimit ndaj gjinisë femërore.
Organizatori i kësaj fushate është Qendra për Art dhe Komunitet –Artpolis, e cila po bashkëpunon me aktivistë e shoqata të tjera për të mbledhur më 14 shkurt sa më shumë njerëz në këtë event.
Çdo 14 shkurt në gjithë botën organizohet fushata “One Bilion Rising”, synimi i së cilës është t’u tregohet komuniteteve lokale dhe botërore se si duken një miliard vajza dhe gra, si dhe për të hedhur dritë mbi mosndëshkimet dhe padrejtësitë me të cilat të mbijetuarat e dhunës përballen çdo ditë.
Sipas statistikave, një në tri gra në planet dhunohet apo rrihet gjatë jetës së saj, që do të thotë rreth një miliard vajza dhe gra.
“Ne ngrihemi përmes vallëzimit për të shprehur gëzimin dhe për të festuar faktin se ne nuk jemi të mposhtura nga kjo dhunë. Ne ngrihemi që të tregojmë se jemi të vendosura për të krijuar një lloj të ri të vetëdijes – atë ku dhuna do të rezistohet deri sa të jetë e paparamendueshme”, shkruhet në njoftimin e këtij organizmi.
“Çohu, rezisto,bashkohu”, kjo është thirrja e këtij organizimi që do të mbahet të mërkurën më 14 shkurt, pranë Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 12:00.