Kosova do të festojë më 17 shkurt 2018, 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Për këtë rast të veçantë, është dizenjuar edhe një logo zyrtare.
Teksa ajo u prezantua në publik, të shumtë ishin që e akuzuan Presidencën Kosovare dhe dizenjuesit e saj, se ajo ishte e kopjuar nga logoja e një kompanie gjermane.
Kundra këtyre akuzave kanë reaguar Arbër Racaj dhe Egzon Çaka, dy krijuesit e logos, si edhe Këshilli Organizativ për Shënimin e 10-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Sipas tyre, ngjashmëria midis dy logove është thjesht një rastësi dhe asgjë më tepër.
“Ne, krijuesit e logos së 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Arbër Racaj dhe Egzon Çaka, fitues të konkursit publik për hartimin e logos së 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, sot padrejtësisht jemi sulmuar nga konkurrentë tanë gjoja logoja e krijuar nga ne ishte plagjiaturë. Forma e hapjes së duarve, ngjashmëria e vetme rastësore, e cila në rastin tonë ndërlidhet me 10 gishtat – 10 vjetorin e shtetësisë, nuk është shpikur as në Kosovë, as në Gjermani dhe as nuk është e patentuar nga askush dhe vetë forma abstrakte e gishtave shpjegon që ne kemi dashur që të përçojmë sa më shumë mesazhin festiv të këtij viti jubilar.”, janë shprehur nëpërmjet një postimi në Facebook dy krijuesit e logos.
Gjithashtu, ata kanë publikuar një video të shkurtër dhe një fotografi, të cilat ofrojnë dëshmi se logoja është krijuar nga ata.
“Si krijues të kësaj logoje, ne e ndjejmë obligim moral dhe profesional, që t’ua dëshmojmë të gjithë qytetarëve autenticitetin e punës sonë. Prandaj, duke shpresuar në mirëkuptim tuaj, dëshmitë e punës sonë përmes së cilës kemi ardhur deri te versioni final i logos, po ua dërgojmë edhe juve”, kanë përfunduar Arbër dhe Egzoni.
https://www.youtube.com/watch?v=CUnPgSLugss
Po ashtu, edhe Këshilli Organizativ i Pavarësisë së Kosovës ka bërë një deklaratë ndaj kësaj çështje, reagimin e të cilit e lexoni më poshtë.
“Ngjashmëritë e pjesshme besojmë se janë rastësore dhe nuk kanë asnjë lidhje të qëllimshme me atë logo apo edhe me logo të tjera. Ka shumë logo në botë që mund të kenë ngjashmëri me njëra-tjetrën, por kjo në asnjë mënyrë nuk e zbeh domethënien e tyre. Kjo logo është përzgjedhur, pasi përputhet me shumë elemente simbolike të përvjetorit të 10 të pavarësisë. Ajo i posedon ngjyrat zyrtare, që janë ngjyra e kaltër, ngjyra e artë dhe e bardha, të cilat i përkasin edhe flamurit tonë shtetëror. Forma e logos, me dy duar të hapura dhe dhjetë gishta, simbolizon ditëlindjen e dhjetë. Pjesë e saj janë gjithashtu edhe elemente të hartës së Kosovës, ku përreth saj me gjashtë vija janë përfshirë në mënyrë simbolike edhe gjashtë grupimet etnike më të mëdha që jetojnë në Kosovë, derisa dy vijat vertikale në mes të logos nënkuptojnë skaje të hartës sonë. Për më tepër, logoja e 10 vjetorit, nëse shohim mes gishtave, ka edhe formën e fishekzjarrëve, prandaj ka shumë elemente dalluese mes tyre, përkundër ngjashmërisë së duarve të hapura”, ka thënë Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ për Shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë.