Në Tiranë po vijon edicioni i gjashtë i ”Dea Open Air” 2019 në sallën Black Box të Universitetit të Arteve në Tiranë.
Pas filmit hapës “Tri ditë në Kiberon”, kushtuar biografisë së aktores së famshme Romi Shnajder, konkurrimi i Filmit me Metrazh të Gjatë, që është dhe konkurrimi kryesor i festivalit, vijoi me filmin “Ligji i Tretë i Njutonit (Spanjë 2018) ”, kushtuar marrëdhënieve të miqësisë dhe dashurisë në moshën e adoleshencës.
Publikun reagoi me emocion ndaj filmit “Një tregim në Prishtinë” (Prishtinë 2018), me fokus në sfidën e një çifti të ri, vajza e të cilëve sëmuret me leuçemi. Filmin e shoqëronin regjisorja, Burbuqe Berisha, producenti Agron Vula, skenaristja, Getoarbë Mulliqi Bojaj dhe aktorët, Teuta Krasniqi e Donat Qosja.
Gjithashtu publiku duartrokiti mbrëmjen e tretë me nostalgji të dukshme edhe filmin “Arbëria” (Itali 2018), kushtuar jetës së komunitetit arbëresh në Italinë e Jugut, i cili vjen përmes fatit të heroinës dhe përpjekjeve të saj në kërkim të identitetit midis aspiratave indivuale dhe rrënjëve familjare.
Filmi u shfaq në praninë e regjisores Francesca Olivieri, producentit, Fabrizio Nucci dhe aktorëve, Brixhilda Shqalsi dhe Anna Stratigo.
Programi vazhdoi me filmin “Merr atë që puth” (Rumani 2018), i cili shfaqet sonte mbrëma (06.05.) në praninë e regjisores Camelia Popa.
Programi i Filmit me Metrazh të Gjatë ndiqet dhe vlerësohet nga Juria e Filmit me Metrazh të Gjatë, e përbërë nga Klaudia Landsberger (Holandë), Elia Zaharia (Shqipëri), Belkis Bayrak (Turqi), Anke Hoevig (Gjermani), Valmira Hyseni (Kosovë). Me të njëjtin ritëm kanë vazhduar edhe dy programet e tjera.
Bazuar në vlerësimet e jurive të mësipërme Festivali Ndërkombëtar i Filmit ”Dea Open Air” do të akordojë 15 çmime sipas emërtimit të festivalit.
Edicioni i gjashtë i këtij festivali zhvillohet në datat 02-08 maj 2019 në Tiranë.