Edicioni i gjashtë i festivalit ndërkombëtar të filmit “Dea open air” po vijon me filmat në Tiranë.
Pas filmit hapës “Tri ditë në Kiberon”, kushtuar biografisë së aktores së famshme Romi Shnajder, konkurrimi i filmit me metrazh të gjatë, që është dhe kryesor i festivalit, vijoi me filmin “Ligji i Tretë i Njutonit (Spanjë 2018) ”, kushtuar marrëdhënieve të miqësisë dhe dashurisë në moshën e adoleshencës.
Filmi u shfaq në praninë e regjisorit, Jorge Barrio, i cili në mbyllje të tij iu përgjigj pyetjeve dhe kureshtjes së publikut dhe kineastëve të ftuar. Publikun reagoi me emocion edhe ndaj filmit “Një tregim në Prishtinë” (Prishtinë 2018), me fokus në sfidën e një çifti të ri, vajza e të cilëve sëmuret me leuçemi.
Filmin e shoqëronin regjisorja, Burbuqe Berisha, producenti Agron Vula, skenaristja, Getoarbë Mulliqi Bojaj dhe aktorët, Teuta Krasniqi e Donat Qosja.
Publiku i shumtë, që mbush përnatë sallën Black Box të Universitetit të Arteve në Tiranë duartrokiti mbrëmjen e tretë me nostalgji të dukshme edhe filmin “Arbëria” (Itali 2018), kushtuar jetës së komunitetit arbëresh në Italinë e Jugut, i cili vjen përmes fatit të heroinës dhe përpjekjeve të saj në kërkim të identitetit midis aspiratave individuale dhe rrënjëve familjare. Filmi u shfaq në praninë e regjisores Francesca Olivieri, producentit, Fabrizio Nucci dhe aktorëve, Brixhilda Shqalsi dhe Anna Stratigo.
Programi vazhdoi edhe me filmin “Merr atë që puth” (Rumani 2018), i cili u shfaq në praninë e regjisores Camelia Popa.
Programi i filmit me metrazh të gjatë ndiqet dhe vlerësohet nga juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga Klaudia Landsberger (Hollandë), Elia Zaharia (Shqipëri), Belkis Bayrak (Turqi), Anke Hoevig (Gjermani), Valmira Hyseni (Kosovë).
Me të njëjtin ritëm kanë vazhduar edhe dy programet e tjera. Konkurrimi i filmit dokumentar ndiqet nga juria e përbërë nga Ami Drozd (Izrael), Kamuran Goranci (Kosovë), Mihal Zoto (Shqipëri).
Juria e filmit të shkurtër, eksperimental dhe studentor është e përbërë nga Theodor Halacu-Nicon (Rumani), Monika Lubonja (Shqipëri), Elis Mataj (Shqipëri).
Programet e mësipërme po ndiqen gjithashtu edhe nga juria e medias, e përbërë nga Enkel Demi, Mirela Milori dhe Alban Dudushi. Bazuar në vlerësimet e jurive të mësipërme festivali ndërkombëtar i filmit “Dea” do të akordojë 15 çmime për filmat pjesëmarrës.