“Padmaavat” është një film historik indian, i cili përshkruan historinë e perandorit mysliman të shekullit të 14-të, Alauddin Khilji, që sulmon mbretërinë indiane, pasi ishte i magjepsur nga bukuria e pashoqe e mbretëreshës së këtij vendi, Padmavati.
Megjithatë, për muaj me rradhë ky film ka ngjallur polemika e protesta të ndryshme përgjatë shteteve të Indisë. Shkak sipas protestuesve është bërë vendosja e një skene intime në film midis dy personazheve kryesorë. Regjisori i këtij filmi, Sanjay Leela Bhanasali, i ka mohuar këto fjalë, duke deklaruar se “filmi nuk përmban asnjë skenë të tillë intime”.
Pavarësisht deklaratës së regjisorit, protestat në vend nuk kanë ndaluar, duke u përkeqësuar edhe më shumë gjatë ditës së premierës së këtij filmi në kinematë e vendit, që del sot më 25 janar.

Protestuesit i vënë flakë një makine.
Protestuesit kanë kërkuar që këtij filmi t’i hiqet e drejta e publikimit, duke e çuar edhe çështjen në gjykatë. Më 18 janar, gjykata i dha të drejtën filmit për t’u publikuar, me argumentin se ai nuk përmbante asnjë skenë intime që mund të fyejë popullin indian.
Ndërkohë, deklarata kundër dy aktorëve kryesorë, Deepika Padukone dhe Ranveer Singh, janë përhapur në të gjithë vendin, ku protestuesit kërcënojnë aktoren me prerje hunde, një ndëshkim që performohej për të dënuar dikë në Indinë e lashtë.
Nga ana historike, historia e dashurisë midis dy udhëheqësve nuk është e dokumentuar. Pushtimi i mbretit mysliman mbi këtë zonë të Indisë është i vërtetë, por historia e Padmavatit dhe ekzistenca e saj në atë kohë nuk vërtetohet në asnjë dokument historik, ku shumë ekspertë besojnë se është thjesht një legjendë.
Trailer: