Art & Kulturë

Filmi kosovar “Një Muaj” pjesë e Busan International Short Film Festival

Me regji e skenar nga Zgjim Terziqi, “Një muaj” është një film me metrazh të shkurtër, që është përzgjedhur për të qenë pjesë e festivalit kualifikues për Oscar që mbahet në Korenë e Jugut.

Busan International Short Film Festival është festivali i parë i filmit të shkurtër në Korenë e Jugut, që këtë vit shënon edicionin e tij të 35-të. “Një Muaj” u përzgjodh për të qenë pjesë e 42 filmave që do të shfaqen kundrejt 4.953 filmave që konkurruan.

Ky film është bazuar në ngjarje të vërtetë dhe trajton historinë e Anës, një 40 vjeçare e verbër, e pamartuar, e cila jeton sipas marrëveshjes që kanë bërë katër motrat e saj.

Sipas këtij pakti, secila prej motrave duhet të përkujdeset një muaj të caktuar për Anën.

“Një Muaj” është një prodhim i shtëpisë filmike “Broken Branch Production”, i sponsorizuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe me mbështetjen e Swiss Cooperation Office Kosova, si edhe nga Komuna e Prishtinës.

Në këtë film luajnë aktorët: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha, Lis Spahiu.

BISFF do të mbahet nga 24 prilli deri më 29 maj në qytetin e Busanit të Koresë së Jugut.

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).