Filmat e Xhanfize Kekos po përjetojnë një pranverë të dytë. Sot e nesër, disa prej filmave të saj do të shfaqen në një nga institucionet më të rëndësishme të historisë së kinematografisë botërore.
“Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Tomka dhe shokët e tij” dhe “Kur xhirohej një film” do të shfaqen nga Wiena Film Museum (Austri), si një homazh për nder të regjisores shqiptare.
Vetëm pak ditë më parë, nga 24–30 prill 2019, tre prej filmave të Kekos u shfaqën në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Linz (Austri) si pjesë e një retrospektive me shtatë filma dedikuar kinemasë shqiptare, shoqëruar me prezantimin e drejtoreshës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Iris Elezi.
Ndërkohë që nga 24 maj deri më 1 qershor 2019 është programuar që filmat “Mimoza llastica” e “Tomka dhe shokët e tij” të shfaqen në Festivalin Ndërkombëtar të filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Zlin (Çeki), si pjesë e “Kinemasë Ballkanike”.