Drama “Terror” me regji nga Gëzim Kame ka çelur sezonin artistik në sallën e rikonstruktuar të teatrit “Bylis”.
Nga data 30 prill deri më 8 qershor projekti “Për teatrin” do të vijojë në teatrin “Bylis” të Fierit me shfaqje të ndryshme drama dhe komedi, që janë realizuar nga regjisorë të njohur.
Drama “Terror” vepër autorit Ferdinand Von Shirach nga regjisori Gëzim Kame sjell në role aktorë të njohur jo vetëm nga Tirana, por dhe nga teatri i Fierit.
Në shfaqje interpretuan aktorët Viktor Zhusti, Lulzim Zeqja, Eva Alikaj, Yllka Mujo dhe Astrit Hasani. Drama “Terror” e autorit gjerman Ferdinand Von Shirach është përkthyer në 41 gjuhë dhe është shfaqur në mbi 80 teatro nëpër botë duke ngjallur shumë interes dhe polemika njëkohësisht.
Ngjarja ndodh në gjykatë, aty ku po zhvillohet një seanca gjyqësore mbi atentatin terrorist më të rëndë të vitit. Fati i një piloti, i cili rrezikon të dënohet më burgim të përjetshëm, pasi zgjodhi të vrasë 164 pasagjerë në vend të 70.000 sportdashësve në një stadium, do të varet nga vendimi i gjykatës, por dhe i njerëzve të thjeshtë të cilët do të vlerësojnë nëse piloti është vrasës apo hero.
Tema e dramës është një nga temat më përvëluese të kohës: terrorizmin në rritje dhe shkatërrimi i një pjese të mirë të funksionimit të sistemit gjyqësor. Vepra shpalos, njërin nga problemet më të vështira që shoqëria njerëzore, bota e civilizuar nuk po e zgjidh dot, për kompleksitetin që ai përmban.