Art & Kulturë

“Ferdonija”, dokumentari kosovar që flet mbi tragjedinë reale të një gruaje

Ky dokumentar flet mbi historinë e një gruaje kosovare, Ferdonijës, e cila zgjohet çdo ditë me shpresën se do të marrë ndonjë lajm nga djemtë dhe burri që janë zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Në këtë film shfaqen të gjitha përpjekjet që ajo ka bërë për të gjetur vendndodhjen e të dashurve të saj dhe zbraztinë në të cilën ajo ndodhet sot. Por, Ferdonija nuk është e vetme në tragjedinë e saj; me dhjetëra gra të tjera vuajnë të njëjtin fat si ajo.

Dokumentari na njeh edhe me “Shoqërinë e të Pagjeturve” në Kosovë, funksioni i së cilës është gjetja e personave që kanë humbur gjatë luftës. Protesta, ngjarje që organizohen nga nënat e të pagjeturve dhe lutjet e tyre ndaj shtetit, të cilat po hasin në vesh të shurdhër, e të gjitha problemet e nënave e të të pagjeturve, paraqiten në mënyrë reale në këtë film dokumentar.

Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti janë realizuesit e këtij dokumentari që flet për vuajtjen shpirtërore, presionet dhe sfidat me të cilat këto gra duhet të përballen, krahas dhimbjes së madhe që historia e përgjakur kosovare ka lënë mbi to.

Ky dokumentar është realizuar në një hark kohor prej dy vitesh. Atë mund ta shikoni të plotë në këtë adresë:https://qkk.gjirafa.com/?video=ferdonija

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).