Një nga opsionet më të reja që po testohet nga Facebook, “Watch Party”, lejon që një numër përdoruesish të shikojnë dhe të komentojnë në të njëjtën kohë mbi një video.
Adminët e këtij grupi mund të zgjedhin çdo video, që nga ato live e deri tek ato që janë transmetuar më parë, për ta ndarë me personat e tyre të afërt.
Ky përditësim është bërë i ditur nga Zv.Presidentja e produktit në Facebook, Fidji Simo.
“Ky lloj opsioni do t’i lidhë njerëzit së bashku teksa komentojnë, bisedojnë dhe shohin të njëjtën video njëkohësisht, duke i bashkuar ata njësoj siç ndodh në videot live.”-, është shprehur ajo në një deklaratë.
Gjatë “Watch Party” çdo pjestar i grupit do të marri një njoftim që e fton atë të bëhet pjesë e bashkëbisedimit. Ky opsion mendohet se do të bashkojë njerëzit që ndajnë hobi e pasione të përbashkëta midis tyre, duke i dhënë atyre mundësinë që të komentojnë e reagojnë në të njëjtën kohë me njëri-tjetrin.
“Watch Party” është akoma në fazën e testimit dhe Facebook nuk ka deklaruar një datë për lançimin e këtij opsioni.