Art & Kulturë

Është çudi kur je femër- Nga Mimoza Ahmeti

Poezi nga Mimoza Ahmeti

Mua tani më vjen për të qarë.
Më duket sikur shkarkesa yjesh më janë grumbulluar te sytë.
Dot nuk duroj,
ndërsa çengelat e nervave nderas tërhiqen
kundrejt njëri-tjetrit.
Kangur me foshnjën në xhep
duket figura ime së largu
këtu në bregdet.

Më vjen për të qarë.
Jam bërë barrë.
Me siguri molusqet e buta tani
lëvizin kapakët e fortë brenda ujit
dhe kandilet e kuq
kushedi ç‘udhëtim te mahnitshëm
kanë marrë
Është çudi kur je femër…
E keni parë natyrën kur tmerrohet, fryn
e shkatërron!
Kur si përbindësh shkrifëron gërmadhat
e mohimit…
Pastaj, kur pastaj, e lehtë dhe e trandur,
me sytë e mëdhenj plot hije
pret një vazhdim, një lindje fëmije
buzë detit ku i vjen për te qarë, për te qare,
ngaqë se si është, është me barrë.
Ne ato orë të ditës kur molusqet e buta
hapin kapakët e fortë brenda ujit
dhe kandilet e kuq
kushedi ç‘udhëtim të mahnitshëm kanë marrë…

(1989)

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).