Më 4 Mars 2019 vjen përpara publikut të Tiranës kengëtari i famshëm me origjine shqiptare Ermal Meta, me koncertin “Ermal Meta ne Teatër me GnuQuartet”, pjesë e tourit të tij të fundit me kuartetin Italian GnuQuartet. Ky tour momentalisht po luhet në skenat më prestigjoze në 23 qytete të Italisë.
GnuQuartet përbëhet nga katër muzikantë italianë:
Raffaele Rebaudengo – violë,
Francesca Rapetti – flaut,
Roberto Izzo – violinë
Stefano Cabrera – violonçel.
Ermal Meta do të shoqërohet nga këngëtari Italian Pierfrancesco Cordio – një emër i ri, por në rritje në fushën e artit Italian.
Meta, i cili këto tre vite ka korrur suksese të jashtëzakonshme në skenën italiane dhe atë ndërkombëtare, mban titullin e fituesit të festivalit më të famshëm të këngës italiane, Sanremo së bashku me këngëtarin Italian Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente|, që thërret për paqe e bashkim, si përgjigje ndaj frikës së aktualitetit të viteve të fundit. Me këtë këngë ai më tej merr pjesë në festivalin Europian të këngës në Eurovision, si përfaqësues i Italisë dhe renditet në një prej vendeve të para, pas votimit elektronik të publikut europian.
Meta gjithashtu vjen pas një verë të tejmbushur me aktivitete, gjatë së cilës performoi në 45 koncerte në qytete të ndryshme në Itali si dhe në skenën shqiptare nëpërmjet tourit Non Abbiamo. Në koncertin e hapur të mbajtur në datën 2 qershor në Sheshin Skënderbej, Meta mblodhi si kurrë më parë rreth 50 mijë dashamirës të artit dhe të muzikës në kryeqytet.
Kësaj radhe koncerti që ai synon të sjellë është i një natyre tjetër, ndryshe nga koncerti i parë në sheshin Skënderbej. Këngët e tij vijnë të ripërpunuara në bashkëpunim me kuartetin në një koncert që do të bazohet në zë, kitarë dhe harqe. Ky koncert do të sjellë përpara audiencës vendase zërin dhe gjenialitetin krijues të një prej artistëve më në zë të momentit në Itali, i cili po konsiderohet si gjeni i muzikës së lehtë italiane, duke u krahasuar me autorë legjendarë si DeAndre, Luccio Battisti e po performon krahas yjeve të muzikës italiane si Patty Pravo, Elisa apo Antonello Venditti.
Ky këngëtar i cili renditet në listën e ambasadorëvë më të mirë të vendit tonë, përcjell një imazh ndryshe të Shqipërisë nëpër botë, imazhin e djaloshit i cili arriti të ngjitë shkallët e suksesit nga një emigrant që kaloi detin për një të ardhme më të mirë, në një ndër emrat më në zë të muzikës në Itali. Meta është një shëmbull i mirë dhe një burim frymëzimi dhe për shumë të rinj shqiptarë, të talentuar, të cilët mund t’ia dalin kudo nëpërmjet punës së palodhur, vullnetit dhe talentit.
Pavarësisht famës dhe skenave ndërkombëtare ku ai performon, gjithmonë e vendos në hartë dhe vendin e tij të lindjes, Shqipërinë, ku thotë se ka rrënjët të cilat do të mbeten gjithnjë atje.
Talenti shqiptar vjen për koncert në Tiranën e tij pas 23 koncerteve shumë të suksesshme në skenat më të mira në 19 qytete italiane. Ermal Meta do të dhurojë nje supershfaqje tek Pallati i Kongreseve sebashku me katër artistë të talentuar italianë të GnuQuartet. Në 4 Mars tek Pallati i Kongreseve në Tiranë artistët do të sjellin një atmosferë magjike që nuk duhet humbur.
Blini biletat online në:
https://www.myticket.al/
Adresat e pikave të agjencive Unionnet – Western Union të autorizuara per shitjen e biletave mund t’i gjeni ne linkun e mëposhtëm:
https://www.myticket.al/agjenciteWU.php