Facebook është duke testuar lançimin e një butoni, i cili do t’u japë mundësi përdoruesve që të “votojnë kundër” komentit të një personi në postimet publike.
I titulluar “Downvote”, ky buton do të shfaqet si opsion nëpër komente, djathtas “Like” & “Reply”. Sipas Facebook, qëllimi i këtij opsioni është që të lajmërojë rrjetin social mbi komentet e vrazhdra apo të gabuara.
Për momentin ky buton është i disponueshëm vetëm për disa përdorues të Facebook në SHBA. Por vendosja e një butoni të tillë shkon kundra deklaratës së Facebook, ku sipas të cilit “Ҫdo buton ‘dislike’ apo ‘downvote’ mund të përhapë negativitet në rrjet”.
Në një deklaratë për shtyp, kompania është shprehur se nuk është duke testuar një buton “dislike”, por një mjet me të cilin njerëzit do të mund t’i dërgojnë Facebook-ut feedback mbi komentet që bëhen në postimet e ndryshme, të cilat janë publike për të gjithë përdoruesit.