Art & Kulturë

Ëndrra E Një Nate Vere – Uilliam Shekspir

Ju pëlqen të qeshni e të shihni në skenë një nga veprat më të interpretuara të Shekspirit?
Atëherë jeni në vendin e duhur.

Në datat 21,22,23,26,27,28,29 Shkurt, ora 19:00, teatri Metropol risjell për ju premierë, një nga komeditë më gazmore dhe plot imagjinatë të Shekspirit duke na sjellë një copëz vere dhe magjie në prag të dimrit me përbërësit e përsosur për një natë argëtuese në teatër.

Me regji të Armela Demajt, ky version I ËNDRRA E NJË NATE VERE do të jetë më ëndërrimtari që keni parë, një festë e vërtetë, një vorbull ngjarjesh, personazhesh, dashurish e keqkuptimesh të cilat do të vijnë në skenë nën lojën komike aktoriale në gjuhën e mrekullueshme Shekspiriane, dinamikën e baletit, ngjyrave psikodelike të skenografisë dhe kostumeve që të cojnë herë para, e herë mbrapa në kohë.

Regjia: Armela Demaj

Interpretojnë: (A- Z) Alba Shtembari, Aleksandër Mitrollari, Amri Hasanlliu, Bledi Naska, Edvin Mustafa, Engjëll Hoxha, Erdet Miraka, Ketjona Pecnikaj, Klea Konomi, Klodjana Keco, Luisa Dinellari, Margent Caushi, Mario Bali
Mariglen Domi, Rexhina Mollaymeri, Sara Koci, Sedmir Memia, Shkëlzen Berisha, Silva Brahimataj, Silvio Goskova, Stiv Osmanaj, Xhino Musollari

As. Regjia: Joana Omeraj
Skenografia: Klodjana Beqiraj
Kostumografia: Frenci Gjerasi
Grimi: Marinela Halilaj
Koreografia: Sedmir Memia
Dizenjues Ndricimi: Juljan Lukani
Muzika/ Fonia: Glen Shutina

Tek “Ëndrra e një nate vere” derdhet një shpirt i pasur i trillimit fantastik ku bota magjike e zanave, muzgu dhe drita e hënës janë disa nga elementet e kësaj atmosfere përrallore.
Në këte veper, motivi i dashurisë ka ardhur me të gjitha dimensionet e saj, me pasionin, me poezinë, me lirikën, me marrëzinë dhe me humorin e pasur.

E shkruar ndoshta në vitin 1595 ose 1596, “Ëndrra e një nate vere” është një nga komeditë e hershme të Shekspirit, por mund të dallohet nga veprat e tjera të këtij grupi duke e përshkruar si pjesë shoqëruese për ceremoni dasmash. Përmbajtja e veprës përqendrohet në tre ngjarje: përpjekjet dhe përvojat e dy çifteve të dashuruar në një pyll të magjepsur, bota e Mbretit dhe Mbretëreshës së zanave si dhe një grupi zejtarësh të rëndomtë që përpiqen të vënë në skenë një pjesë të quajtur “Pirami dhe Tisba” për nder të dasmës së Dukës së Athinës. Hermia është e dashuruar me Lisandrin, por ati i saj kërkon ta martojë me Dimitrin. Për t’i shpëtuar kësaj martese të kurdisur, ajo dhe Lisandri arratisen në pyll. Dimitri i ndjek dhe Helena, që ushqen një pasion të pashpërblyer për të, e ndjek dhe ajo pas. Një katërshe dashurie zhvillohet midis të rinjve kur Paku qerrata luan rolin e Kupidit. Ndërkohë, një grup aktorësh amatorë bëjnë prova të një teatri të dështuar dhe shpejt jetët e tyre ndryshojnë nga veprat e Oberonit dhe Titanias, mbreti luftëtar dhe mbretëresha e zanave. Magjia, aksioni, dashuria dhe humori janë mjetet e kësaj formule magjike e cila do të vijë si premierë në teatrin Metropol, prej dates 21 Nëntor 2019.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).