Kremtohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Në Shqipëri pas viteve 90-të presioni ndaj gjuhës është ndjerë jo vetëm në praktikën e ligjërimit, por edhe në kujdesin ndaj saj. Ndaj drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli, sugjeron të ketë një ligj adekuat.
Kryeqytetit dhe jo vetëm, ka pak javë që i është shtuar Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL)! Misioni i qendrës synon përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun evropian dhe atë botëror. Sa është mirëpritur deri më tani ky institucion i ri kombëtar? Si po funksionon ai?
Hapja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit është një lajm i bukur jo vetëm për kryeqytetin, Tiranën por për gjithë botën e librit dhe kulturës në hapësirat shqiptare. Me këtë iniciativë Shqipëria i bashkohet vendoset bri vendeve avangardë që kanë një institucion dedikuar librit dhe politikave të tij. Në një kohë që ka një rritje të presionit ndaj vlerave të leximit, libri vijon të mbetet e vetmja liri që na çon tek edukimi dhe vazhdimësia. Në këtë kontekst politikat e QKLL do të jenë të lidhura ngushtë me edukimin dhe vazhdimësinë duke besuar se progresi mund të vijë vetëm përmes librit. Në fokus të punës së këtij institucioni të ri do të jetë libri dhe gjuha shqipe. QKLL do të ndërmarrë një sërë iniciativash ligjore që përmirësojnë statusin e autorit shqiptar dhe e vendosin atë në një marrëdhënie më të mirë me botuesin, të drejtat e autorit, përkthimet në gjuhë të tjera etj. Janë një sërë sfidash me të cilat QKLL si institucion i ri përballet vitin e parë, ku më e rëndësishmja është vetë profili i saj roli i saj direkt në raport me botën e librit në vend. Puna jonë ka nisur me ndërtimin e strukturave që do ta bënin këtë institucion jo vetëm dominant, duke pasur një zë të rëndësishëm në shoqëri, por dhe bashkëkohor. Faza e parë është informimi, pasi ne nuk kemi ende një raport se si është gjendja reale me librin dhe autorin shqiptar, për të vijuar më pas me iniciativa konkrete që do të përmirësonte këtë situatë.
Puna juaj e parë si drejtoreshë e QKLL-së nisi me një vizitë në Qendrën Kombëtare të Librit në Francë. Sa frytdhënës ishte ky takim?
Qendra Kombëtare e Librit dhe Francë është një ndër modelet ku ne jemi referuar më shumë për të ndërtuar modelin tonë për QKLL. Me një përvojë më shumë se gjysmë shekulli, CNL është sot një ndër institucionet më të rëndësishme të promovimit dhe mbështetjes së librit, jo vetëm për botën franceze por edhe jashtë saj. Vizita ime konsistoi me një sërë takimesh me drejtuesit e CNL, jo vetëm për të marrë nga përvoja e tyre për drejtimin e një institucioni të ri në mënyrë sa më bashkëkohore, por dhe me vendosjen e një partneriteti. CNL do të asistojë me përvojën e saj në punën e QKLL me një sërë komponentësh, duke nisur nga ardhja e një ekipi nga CNL për të ndihmuar specialistët tanë të librit, e deri tek puna me projekte të përbashkëta. Një nga prioritetet e QKLL është partneriteti me Qendrat Kombëtare të Librit në vende të ndryshme evropiane, si dhe çdo institucion dedikuar librit e kulturës në botë. Dominimi përmes kulturave është i rëndësishëm dhe këto partneritete do të synojnë në bërjen sa më shumë të pranishme të kulturës e librit shqip në botë, duke i dhënë një sërë mundësish autorëve shqiptarë për tu promovuar.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e ka që në emrin e saj një nga prioritetet kryesore që është lexuesi. Rritja e lejueshmërisë është sot një ndër sfidat e botës së librit në botë dhe të gjitha sondazhet që kanë në fokus leximin tregojnë se ka një rënie të numrit të njerëzve që lexojnë. QKLL do të hartojë një strategji kombëtare përsa i përket leximit, duke propozuar e marrë hapa konkretë edhe ligjorë që do të ndihmonin në shtimit të numrit të lexuesve të së ardhmes. Çështja e leximit është e lidhur ngushtë me çështjen e edukimit dhe ky model nuk mund të implementohet menjëherë, ai duhet të vijë natyrshëm që në fazat e hershme të edukimit, apo duke nisur nga familja. Ne jemi duke i informuar për çështjet e bibliotekave që kanë qenë një komponent i rëndësishëm përsa i përket edukimit, pasi synojmë jo vetëm rijetëzimin e tyre por dhe pasurimin me vepra të reja.
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare ju si qendër organizuat simpoziumin “Lëvizjet për gjuhë” me pjesëmarrjen e akademikëve, studiuesve, profesorëve të letërsisë e gjuhës. Çfarë mund të na thoni për këtë simpozium ndryshe,mbi lëvizjet për gjuhë sot dhe si është përballja e shqipes me këto ndryshime?
21 shkurti është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, që kremtohet në të gjitha vendet e botës. Qëllimi i caktimit nga UNESCO-ja të kësaj dite si dita e gjuhës amtare ka qenë vlerësimi i gjuhës si mjeti më i rëndësishëm për ruajtjen dhe trashëgimin e kulturës së çdo populli dhe i nevojës për të nxitur lëvrimin e gjuhëve amtare të popujve dhe të etnive dhe të popujve të botës, të cilat janë pjesë e thesarit kulturor të njerëzimit. QKLL organizoi sot një simpozium ku morën pjesë studiues, akademikë dhe njerëz të librit mbi temën “Lëvizjet për gjuhë”. Diskutimet mbi gjuhën janë nga më interesantet dhe të thellat për vetë faktin se kapaciteti i tyre zgjerohet me kohën. Gjuhët nuk mund të rrinë të izoluara dhe pasurimi i tyre sjell gjithnjë një qasje të re të vëzhgimit mbi to. Shqipja është një ndër gjuhët e mëdha në familjen e gjuhëve indoevropiane, por më pak e studiuara. Qëllimi i këtij takimi ishte rritja e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e gjuhës, përballë presioneve gjithnjë e më shumë në rritje të kohës. Pas viteve 90-të presioni ndaj gjuhës është ndjerë jo vetëm në praktikën e ligjërimit, si në të folur edhe në të shkruar, por me një rënie të theksuar të kujdesit ndaj saj. Shqipëria duhet t’u bashkohet vendeve që kanë një ligj për gjuhën, i cili të parashikojë sanksione të rrepta për shkelësit e saj, si institucione, redaksi apo ente botuese, pasi ekzistenca e një kombi lidhet me gjuhën.