Filmi artistik “Love”, me regji nga Dionis Papadhimitri pati premierën e tij më 19 Dhjetor të 2019-ës në Kinema Millenium dhe vijon të transmetohet në Cineplexx. Filmi i ka kaluar kufijtë duke u transmetuar për publikun edhe në Kosovë.
Një projekt kinematografik, me skenar nga Dionis Papadhimitri dhe nga Irvin Muçaj, “Love” është një prodhim i shtëpisë kinematografike “Papadhimitri Film Production”.
Love është një film i ndërtuar në të tashmen, duke u futur me shumë kurajë në krizat dhe përjetimet e personazheve.
Në role kryesore për këtë film që nuk duhet humbur janë aktorët: Genti Kame, Olta Gixhari, Rozi Kostani, Gent Hazizi, Gentian Zenelaj, Luli Bitri, Herion Mustafaraj, Nevina Shtylla dhe Sara Kolami.
Cila është historia e filmit “Love”?
Geri, një mashkull rreth të 40-tave, i lodhur nga jeta në Itali, kthehet në vendlindjen e tij në Tiranë. I palumtur nga martesa prej 10 vjetësh, ai vendos të jetojë pa bashkëshorten e tij në Tiranën e zhurmshme të klubeve, të diskove, ku takohet me miqtë e tij të mirë, Tomin, Mondin dhe Danielin, role të luajtura nga Gent Hazizi, Gentian Zenelaj dhe Herion Mustafaraj. Por një zë i vazhdueshëm e shoqëron në çdo periudhë të ditës. Është Ela, që në film luhet nga aktorja Luli Bitri, gruaja e tij, që e ka lënë në Itali. Pasioni për seks me dashurinë e tij të parë Fionën, rol i luajtur nga aktorja Rozi Kostani dhe lidhja me një vajzë të re Elizën, një rol i luajtur nga Olta Gixhari, e bëjnë Gerin që të pakësojë numrin e antidepresivëve që ai pi. Por kjo zgjat deri në ditën kur Ela vjen duke i prishur balancat e tij dhe nëpërmjet kontrollit që arrin të vërë mbi të e rrënon këtë marrëdhënie, duke e bërë Gerin të pajtohet me statusin e një martese lineare, ku dashuria është një term i harruar.
Si gjithmonë, fundi është i njëjtë, kthehet sërish tek ajo, zëri që ia prishte qetësinë. Më herët producenti Klajd Papadhimitri ka pohuar se në rolin kryesor është Genti Kame, që sjell me shumë ndjenjë si një personazh i ri në karrierën e tij.
Disa detaje që ndoshta s’i dinit!
Panvaresisht frustrimit të madh të kësaj shoqërie ku jetojmë filmi “Love”, na thotë pa bërtitur, se tashmë jemi të denjë për të bërë ndryshimin por ne si shoqëri jemi të përgatitur!
Muzika Cilësore e Bojken Lakos, Grupit Piter Pan, Mirgen Hubës dhe Janex që me artin e tyre kanë thyer përfundimisht kufijtë midis asaj që është shqiptare provincial dhe talentet që nuk bën dallime, janë një nga mjetet që e bëjnë “Love” te qëndrojë në këmbët e veta. Grupi realizues, dhe veçanërisht përvoja e Drejtorit të Fotografisë, Spartak Papadhimitri kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, duke e çuar “Love” drejt spektatorit si një film-autor, në këtë përpjekje të parë për regjisorin drejt magjisë së madhe që vetëm kinemaja mund të sjellë.