Art & Kulturë

Ekspozita “The Lives of Others” nga Hasan Nallbani nga sot në Galerinë FAB

Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel ju fton në hapjen e ekspozitës vetjake të artistit të mirënjohur Hasan Nallbani, emërtuar “Jetët e të tjerëve”, ditën e mërkurë 22 janar 2020, në Galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve. Ekspozita është kuruar nga Ajola Xoxa dhe do të qëndrojë e hapur përgjatë datave 22 janar – 4 shkurt 2020.

Rreth artistit:

Hasan Nallbani ka lindur në vitin 1934, në qytetin e Beratit (Shqipëri), ku kreu edhe arsimin tetëvjeçar. Filloi të ndjekë liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë në vitin 1949 dhe që prej atij viti ka qenë student i piktorit Nexhmedin Zajmi deri në vitin 1954, vit në të cilin punoi si skenograf në Teatrin Popullor në Tiranë. Studimet e larta i kreu për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, (1959-1964), në atelienë e piktorit Guri Madhi. Ndër tablot e para të paraqitura prej tij renditen “Refugjatët”, si dhe një sërë peizazhesh nga Tirana.

Hasan Nallbani ka fituar çmimin e tretë në konkursin kombëtar të artit me tablonë “Letër nga shtabi” (1968); është paraqitur me ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve (1984); po në të njëjtin vit ka marrë pjesë në Bienalen e Aleksandrisë (Egjipt); ka ekspozuar në Bienalen e Ankarasë (Turqi) (1986-1988); pas viteve ’90 ka vijuar me një sërë ekspozitash në Tiranë (GKA), Berat, Vlorë, Shkodër etj.; ka ekspozuar në Francë (1993), në “Magazin” dhe në “Mediterranea” në Bari (Itali), (1998); është cilësuar Artisti Pamor më i Mirë i Vitit (2008) dhe është vlerësuar së fundmi me çmimin e konkursit ndërkombëtar “Onufri” (2010).

Hasan Nallbani është projektuesi i muzeut ikonografik “Onufri” në mjediset ndihmëse të katedrales së “Shën Marisë” në kalanë e Beratit.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).