Art & Kulturë

Emiliano Biraku, shqiptari që po ngjit shkallët e politikës italiane

Emiliano Biraku është shqiptari në Itali që jo vetëm ka arritur të integrohet në shoqërinë italiane, por tashmë synon të bëhet seriozisht pjesë e vendimmarrjeve politike duke drejtuar Partinë Demokratike atje, në qytetin e Venecias.

I lindur në Skrapar më 11 qershor 1984, Emiliano emigroi në vendin fqinjë sapo kreu gjimnazin Qemal Stafa në Tiranë. Në Itali studioi për ekonomi në Università Ca’ Foscari të Venecias dhe më pas punoi në sistemin bankar.

Falë këmbënguljes dhe punës së bashku me familjen ia doli të kishte rezultate. Që prej vitit 2012 bashkë me të vëllain Ermalin, në Venecia Emiliano zotëron tre restorante. Ai është baba i dy fëmijëve.

Dëshira për t’i ndryshuar gjërat, pavarësisht faktit se ishte emigrant, bëri që ai të përfshihej me politikën si protagonist këto gjashtë vitet e fundit.

Në Venecia jetojnë dhjetra mijëra shqiptarë dhe nevoja për ta përfaqësuar këtë komunitet shtyu Partinë Demokratike të Italisë që t’i besonte Emilianos jo vetëm një vend në parti, por edhe drejtimin në rang qarku. Në 2017-ën u zgjodh pjesë e asamblesë kombëtare dhe një vit më vonë kandidoi për deputet.

Pas një pune të gjatë me Valeroi Favaron, të cilin e ndihmoi të zgjidhej kryetar i PD-së së Venecias, që nga dhjetori i 2018 e deri më sot Emiliano është pjesë e sekretariatit të PD-së italiane dhe merret më shumë me fushën e turizmit, aktiviteteve prodhuese dhe sigurinë publike.

Biraku së fundmi ishte në qendër të vëmendjes së emisionit “My Living” ku rrëfeu jetën dhe sfidat në qytetin italian. Ai tregoi se si komuniteti shqiptar ka arritur të integrohet në Venecia duke u kthyer në faktor zhvillimi teksa rrëfeu edhe pak nga karriera e tij politike teksa përpara ai ka zgjedhjet e 26 majit.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).