Art & Kulturë

Dy premiera në Teatri Eksperimental për publikun në këtë sezon veror

Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” sjell për publikun kryeqytetas në këtë sezon veror dy premiera “Jul Cezari” nga William Shakespeare dhe “Zogu i zi”.

“Zogu i zi” shkruar nga David Harrower, do të ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli më datat 10-11 korrik nën regjinë e Kiço Londos. Në role kryesore interpretojnë aktorët Laura Nezha, Aflred Trebicka dhe vajza e vogël Rexhina Ibro.

Drama “Zogu i Zi” bazohet në historinë midis një vajze 12 vjeçare, e cila takohet me një burrë rreth të tridhjetave në një barbekju, dhe aty nis historia e marrëdhënies midis tyre. Këto personazhe takohen pas 15 vitesh, për ti dhënë mundësi njëri- tjetrit të rindërtojnë historinë e tyre, e riekzaminojnë sëbashku, diçka që secili e ka bërë brenda vetes.

Pjesa ka të bëjë me natyrën e të vërtetës dhe sesi pas 15 vitesh ne mund ta ri imagjinojmë të vërtetën, ta rishpikim apo riemërojmë. Una kërkon të restaurojë vetveten, por përpara se ta bëjë këtë ajo ka nevojë ta copëtojë historinë.

Këtu hyn në rol multimedia, e cila zbërthen vizualisht këtë copëzim historie, si dhe heq distancën midis subjekteve të cilët janë të ndarë nga njëri/tjetri fizikisht, duke përdorur teleprezencën dhe internetin. Vizualisht shfaqja bazohet në teoritë e Lev Manovich, Soft Cinema. Është një tentativë për të lidhur personazhet, imazhin dhe internetin brenda një hapësire siç është ekrani i projeksionit, në marrëdhënie me hapësirën teatrale.

Pjesa ka poezi të brendshme dhe shoqërohet me tërbim, frikë dhe të panjohura. Në thelb Zogu i Zi, fton që shoqëria të dialogojë për sa i përket çështjeve të nxehta duke përfshirë kufijtë ligjor si dhe pozicionin human në botën moderne.

“Jul Cezari” nga William Shakespeare vjen premierë më 13 Korrik nën drejtimin e regjisorit i njohur kroat Ivica Buljan, i konsideruar si një nga regjisorët më të mëdhenj në botë, sipas New York Times.

Kjo shfaqje vjen nën interpretimin e aktorëve Romir Zalla, Alfred Trebicka, Vin Bejleri, Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Ermira Hysaj, Ilirda Bejleri, Adriana Tolka, Klejdi Metaj, Mateo Dervishaj, Endri Çela, Engjëll Hoxha, Enea Nika, Paolo Kadillari, Anxhelo Shkreli.

Tragjedia e Jul Cezarit është një tragjedi historike nga William Shekspir, e cila besohet të jetë shkruar në vitin 1599. Është njëra prej disa veprave dramatike të Shekspirit, që bazohen në ngjarje të vërteta nga historia romake dhe që përfshijnë edhe Koriolanus dhe Antoni dhe Kleopatra.

Në këndvështrim të sfondit historik, pjesa reflekton ankthin e përgjithshëm të Anglisë elizabetiane mbi vazhdimësinë e lidershipit. Në kohën kur u krijua dhe u vu në skenë për herë të parë, Mbretëresha Elizabet, një sovrane e fortë, ishte e moshuar dhe refuzonte të emëronte një pasues, duke u hapur udhë shqetësimeve, se pas vdekjes së saj mund të shpërthente një luftë civile, e ngjashme me atë të Romës.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).