Fototeka “Misto Cici” është krijuar në vitin 2015 në nder të veprës së fotografit. Misto
Vangjel Cici u lind në Pogradec, më 10 tetor 1902. Historia e tij me fotografinë fillon qysh në moshën 13 vjeçare kur mësuesi i tij i sapo kthyer nga Amerika kishte sjellë me vete një aparat fotografik që funksiononte me negative qelqi (pllakë xhami).

Në vitin 1918, mësuesi i tij duke parë intuitën artistike të Mistos, ia shet aparatin bashkë me laboratorin. Këtu nis dhe rrugëtimi artistik dhe i gjatë i Mistos mbi historinë e fotografisë pogradecare, duke e bërë një mjeshtër të fotografisë artistike. Edhe pse pas shumë përpjekjesh nga trashëgimtarët e tij, qyteti i Pogradecit e vlerësoi vetëm në vitin 2011 kur mori titullin “Qytetar Nderi”.
Nëse ende nuk e keni parë nuk duhet ta humbisni. Në vizitat e fundjavës në qytetin e Pogradecit shkoni dhe vizitoheni. Fototeka ndodhet në një prej lagjeve të vjetra dhe tradicionale në qytet, të quajtur rruga e “Burimave”. Në fototekë qëndrojnë të ekspozuara të gjitha veprat e fotografit që i dedikoi pjesën më të madhe të jetës artit të fotografisë.
Në çdo foto të tijën pasqyrohen detaje nga jeta e përditshme, duke nisur me peisazhet e natyrës, fotot e liqenit dhe deri tek detajet që kanë të bëjnë me rrugët, shtëpitë, festat familjare dhe rastet e mortit. Ai u shndërrua në fotografin e parë të Pogradecit dhe të parin e fotografisë artistike në Shqipëri.