Art & Kulturë

Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës

Sot bëhen 22 vjet nga vdekja e humanistes shqiptare, nobelistes dhe të bekuarës së Vatikanit, Shën Nënë Tereza.

Nënë Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup.

Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë.

Këto janë shifrat e mesit të viteve të 80-ta, dhe deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.

5 shtatori është dita e shenjtërimit të saj, ku në një ceremoni madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997.

Disa nga thëniet e saj njihen në të gjithë botën.

Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe
Ngaqë nuk mund ta shohim Krishtin, nuk mund ta shprehim dashurinë tonë për Të, por fqinjët i shohim gjithmonë, prandaj mund të bëjmë për ta çfarë do të donim ta bënim për Krishtin, nëse do ta shihnim
Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin
Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtet pa fund
Nganjëherë, ne mendojmë se varfëri do të thotë vetëm të jesh i uritur, i zhveshur e pa shtëpi. Varfëria e të qenit i padëshiruar, i padashur, pa njeri që të kujdeset për ty, kjo është varfëria më e madhe. Ne duhet të fillojmë nga shtëpitë tona për t’i dhënë fund kësaj lloj varfërie
Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit
Të gjithë e provojmë në jetë dhimbjen, vetminë. Duhet të kemi guxim e t’i njohim kur vijnë. Të varfrit mund t’i keni edhe në familjen tuaj. Gjejini. Duajini.
Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme
Të varfrit na japin shumë më tepër nga sa u japim ne atyre. Ata janë kaq të fortë, jetojnë çdo ditë pa ushqim e nuk mallkojnë kurrë, nuk ankohen. S’kemi nevojë të tregojmë mëshirë apo simpati për ta. Kemi kaq shumë për të mësuar prej tyre.
Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).