Në Ditën Botërore të Talasemisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale çeli fushatën e dhurimit vullnetar të gjakut “Gjak i sigurt për të gjithë”, për t’ju ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë.
”Nevojat për gjak në Shqipëri janë më të mëdha se ajo që arrijmë të sigurojmë nëpërmjet dhurimit vullnetar. Kemi 10,8 dhurime për 1000 banorë ndërsa nevojat janë pothuajse dy herë më të mëdha. Ndaj kam një apel për të gjithë qytetarët: Dhuroni gjak, gjaku as mund të blihet e të shitet, mundet vetëm të dhurohet”, tha Manastirliu.
Duke deklaruar se fushata e dhurimit vullnetar do të shtrihet në të gjithë vendin, Manastirliu deklaroi se synohet mbulimi i nevojave të verës.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë kësaj fushate do të jetë aktive në të gjithë institucionet, në biznese, në të gjitha ato komunitete ku mundemi që të arrijmë me dhurimin vullnetar të gjakut, dhe besoj se nëpërmjet kësaj fushate që kemi nisur sot në Ditën Botërore të Talasemisë do të mundemi që të plotësojmë nevojat për gjak gjatë sezonit veror që është periudha më e vështirë e vitit”, tha Manastirliu.
Së shpejti, u shpreh Manastirliu, prezantojmë strategjinë e gjakut, e cila do të ketë komponent të rëndësishëm dhurimin vullnetar.
Në nisjen e fushatës së dhurimit të gjakut ishte i pranishëm Musa Zeneli, Kryetar i Shoqatës së Talasemikëve i cili u shpreh se qytetarët nuk duhet të kenë frikë nga infeksionet, duke i nxitur ata për të dhuruar gjak për fëmijët talasemikë.
“Këta pacientë të paktën një herë në 20 ditë duan gjak. Ministrinë përherë e kemi patur aleat për gjakun. I them qytetarëve: ai që dhuron gjak shpëton jetë”, tha kreu i Shoqatës së Talasemikëve në Shqipëri.
Fushata do të shtrihet në të gjithë vendin nga sot deri më datë 14 qershor, për të ndihmuar në plotësimin e nevojave me gjak, posaçërisht për fëmijët talasemikë dhe synohet të arrihet në 2500 dhurues vullnetarë.