Art & Kulturë

“Darkest Hour”, një film dedikuar legjendës britanike, Winston Churchill

Ngjarjet zhvillohen në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur kryeministri britanik vendoset përpara disa zgjedhjeve të vështira, teksa përballet me terrorin gjerman, Adolf Hitler.

Me regji të Joe Wright, “Darkest Hour” na sjell një dramë historike, vendosur në kohën kur Perëndimi ishte duke humbur luftën kundra Gjermanisë. Në prag të kapitullimit, parlamenti britanik merr një vendim të minutës së fundit: Ai heq nga posti kryeministrin konservator Neville Chamberlain, i njohur për politikën e tij zbutëse ndaj Hitlerit, me Winston Churchill, i cili mbështeste luftën kundër nazistëve.

Winston Churchill

Në fillimet e tij, ai u cilësua si një ‘Njeri i Hekurt’, kjo për shkak të personalitetit të tij shpërthyes dhe të fuqishëm, që nuk i dha mundësinë të bënte shumë miq. Edhe Mbreti George VII nuk ishte shumë mikpritës ndaj Churchill, kur e takoi për herë të parë.

Edhe pse i bazuar në fakte historike, filmi shtjellohet si një trillim politik duke dhënë detaje mbi vendimin e debatuar të Churchillit për futjen e Anglisë në luftë.

Gary Oldman është aktori i famshëm që portretizon në këtë film rolin e udhëheqësit britanik. Ai ka bërë një punë të përkryer në personalizimin që i ka sjellë karakterit të kryeministrit të famshëm.

Gary Oldman (majtas) ne rolin e Winston Churchill (djathtas)

Idealet që parashtrohen në “Darkest Hour” ndihen të forta edhe sot e kësaj dite: Është lufta që bëhet për paqe, kundër tiranisë, racizmit dhe mungesës së lirisë së fjalës, por mbi të gjitha për demokracinë, aq shumë të nevojshme për një jetesë të lirë.

Churchill rron ende në zemrat e britanikëve dhe veteranëve të luftës. Në sytë e tyre, por edhe të botës, ai ishte një burrë i fortë, i palëkundur në vendimin e tij dhe me një guxim të patjetërsueshëm, i cili mori përsipër rrezikun për të dalë kokë më kokë me një nga diktatorët më të tmerrshëm dhe famëkeq të të gjitha kohërave, Hitlerin e djallëzuar.

Për ushtrinë angleze, ai ishte energjia dhe motivimi që u duhej për të bërë përpara, duke korrur fitore në fushëbetejë çdo ditë e më shumë, derisa arritën të mposhtin armikun dhe të siguronin paqe në rajon, së bashku me Fuqitë e tjera aleate.

Winston Churchill perpara trupave te tij ushtarake

Ky prodhim kinematografik me vlera të mëdha historike, shfaqi premierën e tij botërore më 11 shtator në Festivalin e Filmit Ndërkombëtar në Toronto dhe do të dali në kinema për Britaninë dhe pjesën tjetër të botës, më 12 janar 2018. Ju mund ta gjeni edhe në faqet e filmave në internet, në kualitet HD, por për një eksperiencë më të këndshme, ju sugjerojmë kinemanë.

Trailer:

https://www.youtube.com/watch?v=LtJ60u7SUSw

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).