Shkodra ka festuar ditëlindjes e 85-të të aktores së madhe këtë të diel në Teatrin Migjeni, ku aty nuk kanë munguar artistët e njohur Zef Deda, Roza Anagnosti dhe Margarita Xhepa.
Mes emocioneve Tinka Kurti, e cila përherë ka ditur që të bëjë për vete këdo që e ka njohur, jo vetëm me elegancën e saj prej një zonje të vërtetë, por edhe me humorin e hollë, që vetëm një artiste si ajo mund ta bëjë, u shpreh se: “Mos kujtoni se jam pa emocione, sepse ky është vendi që kam lind e jam rritur, si artiste. Kam punuar 17 vite dhe nuk mundet ta harroj kurrë sa të jem gjallë”. (Preket)
Ajo kujton me mall, me nostalgji dhe respekt, mjeshtërit e mëdhenj, të cilët e kanë marrë përdore, sapo kishte mbaruar shkollën.
“U jam mirënjohëse për këtë festë që më bëni sot. Kam kaq vite, që pres që Shkodra të më bëjë një urim, e kjo është një gjë e madhe. Kam kënaqësinë që të vij sërish në teatër, e sa të jem gjallë të merrem me kinematografi, e këto nuk i bëj për egoizmin tim, por vetëm e vetëm për popullin tim, për Shqipërinë time”, u shpreh aktorja.
Më pas recitoi një poezi për Shën Terezën, për të cilën, thotë se pavarësisht se nuk është poete zhgarravit dhe shkruan herë pas here. Kurti i rikthehet një poezie, të cilën e ka shkruar në vitin 1997, kur Shën Tereza u nda nga jeta.
“O Nëna Terezë, o nënë, unë ty të them nënë, gjithçka të kam thënë. E vogël me trup, por me shpirt edhe zemër të madhe, edhe në botën e largët shumë mall kam. Edhe sot që shpirti yt prehet në amshim, nuk je e qetë, se ti do të lutesh sërish për botën, për nanën Shqipëri, prej bekimit tënd, ne nuk jemi të këqij…”.
Tinka Kurti rrëfen se ka pasur fatin të punojë me artistë të mëdhenj të skenës shqiptare, fillimisht me autorë klasikë dhe me ata modernë, të cilët ishin të kontrolluar, deri në vitet e para të demokracisë.
Urimin e tij për ditëlindjes e Tinkës, Zef Deda e bëri teksa po prezantonte eventin në nder të saj:
“Mirëserdhët në këtë shtëpi të artit, që është në ditën më të madhe të saj, sepse feston për një bij, një mrekulli, që e bëri këtë skenë të ndrisë, e që sot (pardje) mbush 85 vjeç, Tinka Kurtin, e cila është ngjitur sa herë në këtë skenë”, shprehet Deda. Ai e cilëson Tinka Kurtin, një artiste të madhe, të fuqishme, që me interpretimin e saj të artë në skenë bëri që populli shqiptar të ndrijë. “Urojmë me zemër, artisten e madhe, Nderin e Kombit, Urdhërin e Gjergj Kastriotit, Tinka Kurtin.”
Ndërsa Roza Anagnosti, e cilësoi Tinka Kurtin një divë të madhe shqiptare, që përfaqëson artin shqiptar në mënyrë të mrekullueshme.
“Këtu kam nisur edhe unë karrierën time, me një nga artistet e mëdha shqiptare, që është Tinka Kurti. E kam pasur ëndërr dhe kur erdha në teatër më dukej çudi, që kam qenë pranë këtyre njerëzve. Tinka është një aktore moderne, siç është ende dhe sot në film. Ka ushqyer breza të tërë me art dhe nuk mundet ta harroj, kur ajo hynte në skenë. Është një aktore që e sheh jetën dhe e sjell në skenë në mënyrën më të mrekullueshme”, shprehet Anagnosti.
Margarita Xhepa, shoqja e përhershme e aktores, e ka cilësuar Tinka Kurtin si një artiste të madhërishme, që shquhet për punën cilësore dhe për figurat e mrekullueshme
“Do ta theksoj punën më të madhe për komedinë, se ka pasur edhe aktorë të mëdhenj të komedisë në Shkodër, të cilëve nuk u harrohet puna, vlerat dhe arti i madh, që i kanë dhënë artit shkodranë dhe shqiptar. Edhe populli ynë, e dashur Tinkë, është mirënjohës, edhe kurrë nuk do të harrojë, sepse puna jote është e madhe”, është shprehur Margarita Xhepa.