Shoqata e Miqësisë Zvicër-Shqipëri mban më 12 prill kuvendin e saj vjetor në Cyrih. Pas kuvendit, etnologu gjerman Andreas Hemming, i cili është njëherësh kryetar i Shoqatës së Miqësisë Gjermani-Shqipëri, me seli në Halle, do të mbajë një ligjëratë lidhur me regjionin e Miëditës, në Shqipërinë veriore.
“Në kërkim të një vendi ku mund t`i realizoj kërkimet e mia etnologjike në terren, mua në Tiranë shpesh më kanë propozuar: `Nëse dëshiron të përjetosh kulturën e vërtetë shqiptare, atëherë duhet të shkosh në Mirditë! Atje njerëzit jetojnë sikur më parë`.
Kjo është dhe s`është kështu. Tradita në Mirditë në fakt kultivohet diçka më intensivisht se në rajonet e tjera të Shqipërisë. Kjo ka të bëjë shumë me faktin se Mirdita gjithmonë është konsideruar disi më “tradiconale”, më “e prapambetur” se rajonet e tjera të vendit. Kjo shihet edhe në tekstet e Edith Durhamit ose ato të Baronit Franz Nopcsa, por edhe në politikën e ish Partisë së Punës të Shqipërisë, kur ishte fjala për këtë zonë.

Nga ana tjetër, Mirdita gjendet në qendër të modernizimit shqiptar. Autostrada tashmë jo krejtësisht e re “Rruga e Kombit”, kalon përmes rajonit. Lumenjtë, të cilët prej shekujsh kanë karakterizuar jetën atje, aktualisht janë duke prodhuar energji elektrike. Turizmi po përparin ngadalë, shumë ngadalë”, shprehet Hemming.
Në ligjëratë, Hemming do të përshkruajë këtë jetë në mes të traditës dhe modernes dhe konfliktin e brendshëm, në mes të pretendimit për t`i mbajtur vlerat e vjetra, dhe rrethanave shoqërore dhe ekonomike, të cilat kushtëzojnë braktisjen e këtyre vlerave./albinfo.ch.