Art & Kulturë

Botohet kalendari i Festave të Veriut të Shqipërisë

Në prag të sezonit turistik – “Veriu është festë” si pikënisje për kalendarin e festave lokale të Shqipërisë

Si nisi kalendari “Veriu është festë”

Qarku i Shkodrës përbëhet nga 5 Bashki (Malësi e Madhe, Vau Dejës, Shkodër, Pukë, Fushë Arrëz), 33 Njësi Administrative dhe 272 fshatra, të cilat shtrihen në një territor prej 2,863.23 km2 nga deti Adriatik deri në thellësi të Alpeve Shqiptare. Qarku ka 3 pika të kalimit kufitar, si dhe është në distancë shumë të afërt me pika të tjera që lidhin Shqipërinë me botën përmes tokës, detit dhe ajrit. Përgjatë kësaj hapësire ku jetojnë rreth 250 mijë banorë, gjenden atraksione të pazakonta – shumica të ndërtuara nga komunitetet lokale përgjatë historisë – me potencial të madh turistik për zhvillimin e ekonomisë.

Në Janar 2018, Qeveria ndërmori Programin “100 Fshatrat”, ku Qarku i Shkodrës përfaqësohej përmes 9 fshatrave: Drisht, Zogaj, Theth (Bashkia Shkodër), Mjedë, Kukël (Bashkia Vau Dejës), Qelëz (Bashkia Pukë), Kryezi (Bashkia Fushë-Arrëz), Razëm/Vrith dhe Lëpushë (Bashkia Malësi e Madhe). Katër muaj më vonë, në Prill 2018, Ministria e Bujqësisë zgjodhi 21 projekte për festat lokale, ku nga 4 qarqet e veriut të Shqipërisë (Lezhë, Dibër, Shkodër dhe Kukës), që zënë 1/3 e territorit të Republikës, u përzgjodhën vetëm 2 festa: 1 në Dibër (Festa e Bjeshkës, Radomirë) dhe 1 në Shkodër (Zâ Fest, Theth). Mirëpo komunitetet e Qarkut të Shkodrës, si kudo në Shqipëri, shquhen për traditat e organizimit të shumë festave lokale, sikurse Logu i Bjeshkëve, Karnavalet, Sofra Pukjane etj.

Pikërisht për të dëshmuar dhe promovuar këto festa, Organizata GO2 ndërmori nismën “Veriu është Festë”.

Kalendari i Festave Lokale “Veriu është Festë”

“Veriu është Festë” është një nismë vullnetare e organizatës GO2 për evidentimin, mbledhjen, përpunimin, botimin dhe promovimin e informacionit për festat lokale të Qarkut Shkodër, me qëllim kontributin në sektorin e turizmit në këtë hapësirë. Rezultati i parë i kësaj nisme është botimi i Kalendarit të Festave Lokale të Qarkut Shkodër, me titull “Veriu është Festë”. Kësaj nisme të bërë publike në Konferencën e Tretë Vjetore të Turizmit të mbajtur në Pukë më 27 Dhjetor, iu bashkuan organizatat VIS dhe Cospe, që me rrjetin e konsoliduar të  bashkëpunëtorëve nga zonat ku operojnë, kontribuan për mbledhjen e informacionit për festat e këtyre komuniteteve. Po ashtu, kontribut të madh dhanë edhe Bashkitë Vau Dejës, Shkodër, Pukë dhe Fushë-Arrëz.

Kalendari “Veriu është Festë” përfaqëson të parën përmbledhje të festave lokale të një Qarku në të gjithë Shqipërinë.

Kalendari prej 182 faqesh ka informacion të zgjeruar për 166 festa lokale dhe ngjarje të tjera të rëndësishme për komunitetin, përfshi edhe ditët e shënuara të kujtesës kombëtare dhe ndërkombëtare me karakter kulturor, social, fetar e sportiv që kremtohen në 5 bashkitë e këtij Qarku: Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Shkodër dhe Vau Dejës. Secila festë shoqërohet me një foto të përzgjedhur të vendit ose momentit të organzimit të saj ndër vite.

Kalendari shoqërohet me Hartën e Qarkut Shkodër, ku çdo fshat apo njësi tjetër administrative përkon me numrin përkatës të festës të shënuar në libër.
Të depozituara sipas dispozitave ligjore edhe në sektorin e katalogizimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë (ISBN 978-9928-4461-5-2), Kalendari dhe Harta janë të aksesueshëm si botim në formatet respektive 14x9cm dhe 45x56cm. Po ashtu ato mund të shfletohen në internet, në adresën e botimeve të GO2 në issuu.com:

https://issuu.com/go2albania/docs/go2_albania_veriu_eshte_feste

Kujt i shërben Kalendari

Kalendari “Veriu është Festë” është një mundësi unike për agjencitë turistike vendase dhe të huaja, por edhe për zyrat e informacionit pranë bashkive përkatëse, për të tërhequr të apasionuarit e turizmit të eventeve dhe atij kulturor, drejt destinacioneve të evidentuara përmes festave lokale.

Aktualisht, Kalendari i botuar vetëm në gjuhën shqipe mund t’i shërbejë kryesisht agjencive turistike vendasem si dhe zyrave të informacionit turistik. Përmes këtyre enteve, Kalendari mund t’i shërbejë sidomos turizmit të brendshëm, si dhe atij të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë, duke çuar jo vetëm në rritjen e turizmit të brendshëm, por edhe të shkëmbimeve të ndërsjella kulturore mes zonave të ndryshme të Shqipërisë.
Organizata GO2 synon që Kalendari i Festave Lokale të Qarkut Shkodër të zgjerohet në një Kalendar të Festave Lokale të 4 Qarqeve të Veriut të Shqipërisë (Lezhë, Shkodër, Dibër, Kukës). Në këtë stad të mëvonshëm, kalendari detyrimisht do të duhej të botohej edhe në gjuhën angleze, për t’iu shpërndarë me të gjitha mënyrat operatorëve të huaj turistikë që targetojnë Shqipërinë. Përmes këtij planifikimi të detajuar të sezonit edhe për turizmin e eventeve dhe atë kulturor, rajoni verior i Shqipërisë do të kishte një rrijte të konsiderueshme të numrit të vizitorëve, sidomos atyre elitarë.

Synim tjetër i Kalendarit “Veriu është Festë” është që të identifikojë dhe promovojë potencialin e turizmit të eventeve të Qarkut Shkodër e më pas të krejt Veriu të Shqipërisë, si një ofertë e përbashkët turistike drejt një destinacioni alternativ ndaj turizmit malor të Alpeve Shqiptare, për të cilin ky rajon njihet më së shumti.

Festa Unike Lokale

Duke u nisur nga elementët autentikë, dallohen së paku tre grupe të mëdha të festave të përfshira në Kalendar:

1) Festa Unike Lokale

2) Festa Kombëtare dhe Ndërkombëtare

3) Aktivitete Sportive

Në grupin e parë të Festave Unike Lokale më në zë të Qarkut janë: Logu i Bjeshkëve, Hana e Plotë, Festa e Reçit, Festa e Hotit dhe Festa e Kaçimakut në Malësinë e Madhe; Karnavalet, Ditët e Mjedës dhe sidomos Komani Arkeo Fest në Vau Dejës; Djergia e Bjeshkëve në Fushë-Arrëz, Dita e Kulturës Pukjane dhe Darka e Djathit në Pukë; Lojna Popullore, Karnavalet, Dita e Luleve, Shkodra – familja, kultura, historia ime, Zâ Fest, Ahengu Shkodran, Festivali i Këngës Qytetare Luleborë, Salloni i Vjeshtës dhe Ndërmendje në Shkodër.

Në grupin e dytë të Festave Kombëtare dhe Ndërkombëtare janë: Festivali Mbarëkombëtar i Instrumentistëve të Vegjël Popullorë në Fushë-Arrëz, Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, Takimi kombëtar i bandave frymore, Ekrani i Artit, A-Festfilm dhe Maratona e Pavarësisë në Shkodër.

Ndërsa grupi i tretë i aktiviteteve sportive shënohet sidomos me Triathlon dhe Ditën e Biçikletave në Shkodër.

Krahas listave të mësipërme, në secilin grup janë përfshirë edhe një numër i konsiderueshëm festash të reja dhe të vjetra fetare, aktivitete për një seri ditësh botërore të kulturës, trashëgimisë, turizmit etj, si dhe disa turne sportivë në disiplina të ndryshme që organizohen në territorin e Qarkut Shkodër.

Jo vetëm turizëm. Festat Lokale ua ndryshojnë jetën njerëzve

(parathënia e Kalendarit “Veriu është festë”)

Festat lokale janë një mundësi e mirë e komuniteteve për të afirmuar vlerat e tyre në një rajon më të gjërë, si dhe për të rritur konkurrueshmërinë e rajoneve në nivel kombëtar. Ato mund të organizohen nga individë, persona fizikë dhe juridikë, komunitete dhe institucione publike ose fetare, operatorë turistikë etj.

Festat lokale janë një seri eventesh me tematikë të përbashkët që organizohen në intervale periodike kohore. Festat lokale, të iniciuara dhe drejtuara nga organizatorë lokalë, janë të ngulitura thellë në kulturën e një komuniteti dhe si rezultat ato krijojnë dhe rikrijojnë historitë e tyre, duke gjeneruar vlera dhe zakone të vetë komunitetit.

Festat dhe eventet e mirëmenaxhuara ofrojnë një mori përfitimesh ekonomike dhe sociale. Turizmi i eventeve dhe festave konsiderohet si një nga format me zhvillimin më të shpejtë në turizëm, duke u popullarizuar gjithnjë e më shumë në zonat rurale, si një mjet për të ringjallur ekonomitë lokale. Mirëpo nëse përfitimet ekonomike të festave lokale evidentohen dhe maten më lehtë, përfitimet sociale janë më pak të dukshme e në fakt më të rëndësishme, sepse ndikojnë çdo aspekt të jetës së banorëve.

Si përfitim social veçanërisht i rëndësishëm i festave lokale është krijimi i marrëdhënieve të forta dhe socializimi në një komunitet, i cili përgjithësisht ndodh gjatë fazës së planifikimit. Këto përfitime zgjasin, meqenëse njerëzit sjellin lidhjet, njohuritë kolektive dhe aftësitë e tyre për të përmirësuar komunitetin.

Shumica e qindra formularëve të mbledhur për hartimin e këtij Kalendari, e përcaktojnë festën si një mundësi për socializim ndërmjet komuniteteve të izoluara të veriut të thellë alpin, ku Qarku Shkodër shtrihet. Tipik është rasti i Logut të Bjeshkëve, njërës prej festave më autentike dhe më të veçanta që po ashtu zhvillohet në thellësi të Alpeve Shqiptare, në Qafë Predelec të Kelmendit. Organizatorët thonë se kjo festë e rimarrë nga tradita, në fillimet e veta rreth 20 vjet më parë ka mbledhur jo më shumë se 5 vajza, por ky numër është disafishuar në vitet në vazhdim. E njëjta gjë vlen edhe për publikun që udhëton dhjetëra, qindra e madje mijëra kilometra, që nga fshatrat e Malësisë së Madhe, nga Shqipëria e madje edhe nga përtej Atlantikut, për të marrë pjesë në këtë festë.

Po ashtu, festat lokale kanë aftësi të thithin burime finaciare dhe investime në komunitetet ku këto festa zhvillohen, duke siguruar përfitime ekonomike që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të zonës. Ato tërheqin vizitorët, gjë që stimulon rritjen e turizmit dhe bizneseve të tjera, kontribuojnë në hapjen e vendeve të reja të punës, në tërheqjen e vizitorëve në nivel rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar, në tërheqjen e vëmendjes dhe promovimin e atraksioneve dhe infrastrukturës. Në shkallë të ndryshme, secila festë lokale e ka këtë aftësi, por në një masë më të madhe, këtë e mishërojnë aktivitete të tilla si Panairi i Produkteve Agro-Ushqimore të Pukës, Festivali Mbarëkombëtar i Instrumentistëve të Vegjël Popullorë në Fushë-Arrëz, Dita Ndërkombëtare e Muzikës Jazz në Shkodër. Po në Shkodër, një tjetër festival – ai Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë – i mbështetur mbi një traditë gati 60-vjeçare, është padyshim ngjarja më e rëndësishme kulturore në krejt qarkun.

Paksa më specifike janë disa aktivitete, si Ekspozita e përvitshme Fotografike “Shkodra – familja, kultura, historia ime” dhe Ekrani i Artit e ndonjë tjetër po në Shkodër, që me synimin për evidentimin dhe ngritjen e kapaciteteve kulturore individuale dhe kolektive përmes ballafaqimit të audiencës lokale me qasjet dhe zhvillimet bashkëkohore të artit, janë sipërmarrjeve vërtet sfiduese.

Festat lokale, festivalet dhe eventet kanë ndikime që shkojnë shumë përtej asaj që mund të matet në aspektin ekonomik. Ato kontribuojnë në cilësinë e jetës së komuniteteve, forcojnë marrëdhëniet mes tyre, ofrojnë aktivitete dhe evente unike, duke ndërgjegjësuar mbi kulturat dhe identitetet e ndryshme, si dhe duke vepruar si burim vetëbesimi dhe krenarie për komunitetet. Ato krijojnë modele suksesi, bashkëpunimi dhe partneriteti. Palët që përfshihen në organizim nxjerrin në pah ekspertiza dhe aftësi specifike të pjesëtarëve të komunitetit, duke nxitur transferimin e njohurive tek anëtarët e tjerë të komunitetit dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapitalit njerëzor ekzistues. Nxitja dhe ndërtimi i vetëbesimit dhe krenarisë te komuniteti është thelbësore në zhvillimin e çdo komuniteti. Banorët me vetëbesim e krenari për vlerat që bartin janë më të prirur të flasin pozitivisht për mjedisin e tyre te të tjerët, si dhe të angazhohen vullnetarisht në aktivitete që mbështesin të mirat e përbashkëta. Në këtë kontekst, një model suksesi është Festa e Kaçimakut në Shkrel, e cila herën e parë u organizua nga VIS Albania për të sjellë në vëmendje një gatim tradicional në rrezik zhdukjeje. Aktualisht, kjo festë është marrë në dorë nga vetë komuniteti i zonës, që bashkë me famullinë, po e çon më tej traditën.

Traditës, madje asaj të hershmes që vjen prej shumë shekujsh i përkasin gjithashtu rreth 35% e festave të përfshira në këtë Kalendar: festat fetare. Mirëpo nëse për njërën prej tyre – Shën Kollin – duhet përgëzuar nisma e Bashkisë Vau Dejës për ta nxjerrë festën nga familjet drejt komunitetit dhe territorit, si dhe duke i dhënë asaj një identitet të lidhur me simbolikën përkatëse, një pjesë e mirë e festave dhe aktiviteteve të tjera (jo vetëm fetare), kanë nevojë për krijimin, theksimin dhe diversifikimin e identitetit. Kërcënimi permanent i globalizimit për uniformizimin e madje zhdukjen e kulturave të vogla do të duhej të vinte në alarm edhe komunitetet lokale për të intensifikuar përpjekjet për forcimin e identitetit në territoret respektive. Detyra kryesore shkon për institucionet publike, të cilat kanë kompetencën për të orientuar mundësi më të mira për komunitetet dhe organizimet komunitare edhe në aspektin e festave lokale.

Megjithatë, cilatdo qofshin festat, tradicionale, fetare, sportive apo kulturore të gjitha kanë një qëllim të përbashkët: përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetet.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).