Art & Kulturë

“Balkan Girl Power”. Mësoni më shumë për ekspozitën me 68 fotografi të 34 vajzave

“Balkan Girl Power” titullohet ekspozita me 68 fotografi të 34 vjazave nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, e çelur sot në Qendrën e Hapjes për Dialog (COD), në Kryeministri.

Ceremonia u hap nga Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Çano, e cila shprehu kënaqësinë e veçantë që ekspozita e parë në COD për vitin 2019 kishte në qendër femrën ballkanase me aspiratat për të qenë pjesë e integrimit në familjen europiane. I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Artistja Lala Meredith Vula, e cila kuroi këtë ekspozitë, shprehu mirënjohjen për të gjithë njerëzit që u bënë bashkë në këtë nismë dhe COD që mirëpriti këto vepra të mrekullueshme.

Drejtoresha Ekzekutive e Institutit për Kontratën Shoqërore në Shqipëri, Olda Çeta, që udhëhoqi projektin, falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët, vajzat pjesëmarrëse dhe vlerësoi besimin dhe mbështetjen e Western Balkans Fund.

Në këtë ekspozitë janë përzgjedhur të prezantojnë punimet e tyre në zhanrin e fotografisë  me tematika të ndryshme vajza nga 5 vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Projekti ka bashkuar 35 vajza nga këto shtete për të dokumentuar përmes fotografisë jetën, ëndrrat dhe perspektivat e tyre. Mes vajzave që përfaqësojnë Shqipërinë është edhe Alketa Haklaj. Ajo ka vendosur ta titullojë projektin e saj “Bardh e zi”. Alketa ka sjellë fotografi në formatin bardh e zi nga realiteti dhe jeta e grave shqiptare. Vajzat e tjera pjesëmarrëse vijnë me tematikën e adoleshencës, familjes, shoqërisë, natyrës, muzikës apo edhe artit.

Balkan Girl Power Exhibition do të jetë e hapur për publikun deri në datën 28 shkurt.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).