Art & Kulturë

12 mijë spektatorë në “arTurbina” në muajin mars

Skena “arTurbina” mblodhi gjatë marsit 12 mijë spektatorë që kanë ndjekur shfaqjet e larmishme në këtë skenë me standarde të reja.

Lajmin e bën të ditur Teatri Kombëtar, duke falënderuar artdashësit kryeqytetas për vëmendjen.

Këto ditë në skenë te ”arTurbina” u shfaq vepra teatrore ”8 Femra” me regji nga Driada Dervishi dhe një kast aktoresh të njohura. Vepra u përcoll me interes nga publiku. Në skenë u ngjit edhe vepra ”Shirli Valentina”, po me regji nga Driada Dervishi dhe interpretim të aktores Olta Daku.

Të dyja veprat që sollën në skenë aktore të njohura janë shfaqur për publikun në vijim të sezonit artistik të Teatrit Kombëtar. Në skenën e ”arTurbina” janë zhvilluar gjatë kësaj kohe dhe aktivitete të tjera si dhe festivali i teatrit me nxënësit e shkollës së mesme që po sjellin në skenë shfaqje të ndryshme.

Por ajo që ishte produksion i parë i Teatrit Kombëtar për këtë vit ishte ”Gusht: portret familjar” me regji nga Spiro Duni. Merita Xhani, Luli Bitri, Eva Alikaj, Dritan Boriçi, Flaura Kureta, Elia Zaharia, Ligoraq Riza, Neritan Liçaj, Myzafer Zifla, Niada Saliasi, Margent Caushi, Doriana Çaushi ishin aktorët që interpretuan në vepër.

”Gusht: portret familjar” u shfaq edhe ditëve të muajve më parë dhe është kurorëzuar me çmimin prestigjioz Pulitzer, është cilësuar si drama e re më e pëlqyer në Broadway ndër vite. Autori shkroi edhe skenarin e filmit me të njëjtin titull, me aktoret e shquara Meril Strip dhe Julia Roberts.

”Gusht: portret familjar” është historia e familjes Ueston, që ka probleme të thella të cilat shpërfaqen me tërë fuqinë e tyre kur pjesëtarët e saj mblidhen në shtëpinë e tyre në Oklahoma, ku patriarku i familjes Beverli Ueston ka humbur.

Gruaja e tij Violeta është një egoiste, manipuluese dhe e varur nga droga. Ajo përdor dhunë psikologjike dhe i torturon tre vajzat e saj. Drama konsiderohet komedi e zezë, pasi vepra përshkohet nga humori.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).