Nuk ndodh shpesh që të krijohet një film kaq i bukur dhe që ndërthur më së miri notat komike me situatat romantike, siç është “27 Dresses”.
Regjisorja e filmit, Anne Fletcher, por edhe aktorët protagonistë, Katherine Heigl dhe James Marsden, nuk e mendonin se filmi i tyre do të shndërrohej në një hit në kinematë botërore e se do të kthehej në një film kult, që vazhdon të shihet edhe 10 vite më vonë nga publikimi i tij.
2018 shënon 10 vjetorin e premierës së filmit, i cili filloi të shfaqej në kinema më 10 & 18 janar 2008. Kundrejt një buxheti prej 30 milion dollarësh, “27 fustanet” arriti një sukses të madh komercial, duke mbledhur 160.3 milion dollar.
Jane Nichols është e apasionuar pas punës së saj dhe njëkohësisht ka vite e dashuruar me shefin e saj. Ajo është një grua e ëmbël që nuk i refuzon dot shoqet kur i kërkojnë që të bëhet shoqëruesja e tyre e nderit, aq sa Jane ka marrë pjesë në plot 27 dasma. Prej tyre, ajo ka koleksionuar plot 27 fustane të shoqeve të nderit dhe ëndërron që një ditë të jetë ajo në rolin e nuses.
Rastësia bën që ajo të njihet në një taksi, teksa i duhej të shkonte në 2 dasma brenda një nate, me gazetarin e famshëm Kevin Doyle, i cili vendos të bëjë një artikull mbi jetën e saj si shoqëruese e nderit.

Kevin dhe Jane
Gjithçka do të trazohet në jetën e saj kur e motra kthehet nga Evropa dhe njihet e dashurohet me shefin e Jane. Ata planifikojnë dasmën e tyre dhe njëkohësisht i kërkojnë Jane që të bëhet shoqëruesja e nderit. E frustuar dhe e mërzitur për martesën e së motrës me fiksimin e saj, Jane do të kalojë shumë kohë me Kevin dhe dalëngadalë do të zbulojë se ai është princi i ëndrrave të saj. Në fund ajo përfundon duke u martuar me të, veshur me fustanin e bardhë në dasmën e saj të ëndrrave.

Jane me motrën dhe shefin e saj.
“27 Dresses” i ka mbizotëruar kohrave për shkak të temës mjaft aktuale që prezanton: Jeta nuk është perfekte dhe gjërat nuk dalin siç i përfytyrojmë, por gradualisht gjithçka shkon në vijën e duhur.
Aktorja që luan Jane, Katherine Heigl, ka uruar 10 vjetorin e këtij filmi në faqen e saj në Instagram. Për të, ky është një nga filmat më të bukur në të cilin ka luajtur dhe shpreson për një seri të dytë, ku siç thotë ajo: “Në filmin e dytë, Jane do të jetë duke marrë pjesë tek ditëlindjet e fëmijëve të shoqeve të saj, teksa përpiqet që të ngelet vet shtatzanë.”
https://www.instagram.com/p/BeGyfERhHCS/?hl=en&taken-by=katherineheigl
Nëse nuk e keni parë ende këtë film dhe jeni në kërkim të një filmi që jo vetëm do t’ju bëjë të qeshni me lot, por edhe të dashuroheni me aktorët dhe idenë e dashurisë, atëherë “27 Dresses” është zgjidhja perfekte!