TIRANË, 1 qershor /ATSH/ – Një shfaqje baleti e dedikuar për të miturit që qëndrojnë në Institutin e Kavajës me rastin e 1 Qershorit u zhvillua sot tek ArTurbina nën kujdesin e Drejtoreshës së TOB, Zana Çela.
Përbën një ndryshim për këta të mitur pasi nuk ishte një shfaqje në Institutin e tyre, por një shfaqje e vërtet baleti ashtu si të gjithë fëmijët për 1 Qershor, mund ta shijojnë dhe të gëzojnë në ditën e tyre.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti pasi ju uruan festën e 1 Qershorit të miturve të Institutit të Kavajës, ju shpjeguan se kjo është një traditë që ka filluar tashmë dhe do të vazhdojë me një sërë aktivitetesh të tjera kulturore, sociale, që do ti mbajnë më afër këta fëmijë me shoqërinë, me përditshmërinë, si gjithë bashkëmoshatarët e tyre dhe në nxitjen e pasioneve të tyre.
Aktivitete të tilla ndikojnë drejtpërdrejtë në trajtimin e tyre më social dhe rehabilitues për t’i fituar këta fëmijë.
Edukimi nëpërmjet artit është një mënyrë mjaft e mirë, si dhe plotëson programet ditore të të miturve në këtë Institut.